Kosovë, nesër mbahet seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e paralajmëruar për sot me krerët e grupeve parlamentare vendosi që seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi të mbahet nesër, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë mbledhje, ku në rend dite ishte shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzaknshme për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, përveç përfaqësuesve të subjektit politik Lista Serbe të pranishëm ishin të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike tjera në vend.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes duke folur për media njoftoi se seanca e jashtëzakonshme për votimin e demarkacionit do të mbahet nesër në ora 11:00.

Sipas tij, ditën e nesërme politika e Kosovës e ka rastin të bashkohet pa asnjë dallim për “një çështje shumë të rëndësishme për qytetarët e vendit që ndërlidhet drejtpërdrejtë me lëvizjën e lirë”.

Veseli shprehu besimin se marrëveshja për demarkacionin do të kalojë dhe theksoi se secili deputet duhet ta ketë parasysh rëndësinë e kësaj çështjej mbi inatin, debatet e të kaluarës dhe kalkulimet e dëmshme për të ardhmen e vendit.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje ka miratuar plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror midis Kosovës dhe Malit të Zi.

Pjesë e projektligjit janë Marrëveshja për kufirin shtetëror Kosovë-Mal të zi e datës 26 gusht 2015, dokumentacioni zyrtar i Komisionit shtetëror për shënimin e kufirit shtetëror, si dhe deklarata e presidentit të Kosovës dhe të Malit të zi, Hashim Thaci dhe Filip Vujanovic e datës 16 shkurt 2018.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, dje ka dërguar kërkesë deri te Kryesia e Kuvendit për thirrje të seancës së jashtëzakonshme për miratimin e Projektligjit për datën 22 shkurt 2018.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button