RDK: Nga revoltat popullore le të vetëdijesohet Qeveria aktuale

Rilindja Demokratike Kombëtare ka ndjekur me kujdes zhvillimet e fundit të provokuara nga pasojat e operacionit policor i datës një maj dhe, megjithëse dëshiron të shmangë dhënien e ngjyrimeve partiake protestave të fundit, shpreh mbështetje të plotë për të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të protestuar në mënyrë paqësore për shprehjen e pakënaqësisë me keqpërdorimet e bëra gjatë operacionit për kapjen e fajtorëve për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të Shkupit.

RDK edhe një herë hedh poshtë etiketimet e pabaza të bëra nga zyrtarë të Ministres së punëve të brendshme dhe operacionet frikë ndjellëse të angazhimit të 800 policëve për të arrestuar në mes të natës 20 persona, duke ushtruar dhunë pa bazë ligjore (mes tyre edhe katër femra), prej të cilëve pas 48 orësh lihen të lirë si të pafajshëm 13 persona.

Rilindja Demokratike Kombëtare rikujton se shqiptarët, historikisht manifestimet, tubimet por edhe protestat e tyre i kanë zhvilluar me flamuj kombëtarë dhe është kundër dhënies së protestave ngjyrime fetare nëpërmjet transparentëve dhe brohoritjeve, sepse shqiptarëve vazhdojnë tu cenohen të drejtat kombëtare dhe politike, e jo të drejtat fetare në Maqedoni.

Kjoparti politike shpreh keqardhje që partia shqiptare në qeveri nuk ka kapacitet politik dhe ndërgjegje politike dhe kombëtare, që të kërkojë përgjegjësi nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme për etiketimet dhe deklarimet e paargumentuara për radikalizëm islamik duke lidhur të akuzuarit me gjoja involvimin e tyre me luftën në Afganistan dhe me aktivitete të tjera, gjoja kriminale.

“Jemi të bindur se zyrtarë të Ministrisë së brendshme me veprimet dhe deklarimet e tyre kanë shkelur një prej parimeve bazë të sistemit juridik, atë të prezumimit të pafajësisë dhe me këto gabime të rënda institucionale kanë qenë nxitës kryesor të protestave gjithëpopullore të organizuara ditën e premte në më shumë vendbanime në Maqedoni”, thuhet në reagimin e RDK-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button