Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër debaton për Kosovën

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet nesër për të diskutuar zhvillimet në Kosovë në kuadër të debateve tre muajshe që mbështeten në raportin e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-mun.

Raporti i cili përfshinë periudhën nga 16 janari deri në mesin e prillit vlerëson se marrëveshjet e arritura në bisedimet Prishtinë – Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian kanë shënuar një përparim që i mundësoi Bashkimit Evropian t’i japë Serbisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim, ndërsa Kosova studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim – Asocim.

Në këtë seancë do të marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili do t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit me një fjalim, ku do të paraqesë progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës dhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë fazë.

Ndër tjerash, Hoxhaj do të flasë edhe për gjendjen në veri të Republikës së Kosovës, për zhvillimet e fundit dhe për vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar, të vendosë sundimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të territorit.

Ai do të raportojë edhe për dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe moszbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nga pala serbe./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button