BOTA E MICHNIKUT

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Publicisti polak Adam Michniku u quajt person i rrezikshëm për diktaturën polake që si 18 vjeçar, sepse kërkonte demokratizimin e shoqërisë së ngulfatur polake. Ai është njëri nga zërat e rrallë në shkretëtirën komuniste, të cilin Vaclav Haveli e quajti “vetëdija intelektuale e kombit polak”. Ishte dënuar disa herë për shkak të bindjeve politike. Gjatë diktaturës bashkëpunoi me revistat gjysmë ilegale, të quajtura “samizdat”. Pas rënies së komunizmit ishte këshilltar i kryetarit Leh Valenca, me të cilin kishte bashkëpunuar në kohën e “Solidarnostit” të famshëm. Michnik është autor i disa librave (“Letra nga burgu”, 1986; “Lamtumira e dytë nga komunizmi”, 1992; “E përhimëta është e bukur”, 1997 etj.), kolumnist në gazeta evropiane dhe kryeredaktor i “Gazeta Wyborcza”. Njihet si mbrojtës i vlerave europiane dhe si kundërshtar i nacionalizmit dhe ksenofobisë. Për të Europa është rajon dhe jo komb; është projekt, që bazohet mbi vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë. Ai u udhëhoq nga kryefjala: “Bëni atë që mendoni se duhet ta bëni”. Ose: “Besoni në lirinë e fjalës? Atëherë flisni lirshëm. E vlerësoni të vërtetën? Atëherë flisni. Besoni në shoqëri të hapur? Atëherë bëhuni të hapur. Besoni në shoqëri të ndershme dhe njerëzore? Atëherë veproni me ndershmëri dhe si njerëz”.

Michnik, si kundërshtar i çdo tendence për kufizimin e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, beson se në demokraci nuk ka vend për censurë. “Cenimi i lirisë së shtypit shpie drejt diktaturës”. Njeriu në diktaturë ishte dëmtuar në gjykim dhe bënte jetë hipokrite, pikërisht për shkak të robërisë. Këtë mënyrë jetese Çesllav Millosh e sqaroi nëpërmjet “ketmanit”, kurse Gjergj Konradi e sqaroi nëpërmjet “jetës me maskë”.

“Dhuna e dekadave na kishte poshtëruar, edukimi i gënjeshtërt na kishte budallallepsur, frika na kishte gjymtuar, revolta e pafuqia na kishte frustruar. Mizoritë e viteve staliniane patën skllavëruar mendimet dhe gjykimet tona, na patëm bërë më të kujdesshëm dhe mosbesues, më të përkorë dhe të bindur. Ishim shndërruar në njerëz me maska, njerëz që jetonin në strofulla. Gjallonim të trishtuar nga shëmtimi moral i së përditshmes […] Shumë pak prej nesh artikulonin ndonjë fjalë mospajtimi apo revolte; shumë pak prej nesh nënshkruanin me vendosmëri peticionet e radhës kundër pushtetit. Aq të paktë ishin këta rebelë, sa ndiheshin ndoshta mjeranë dhe qesharakë”, shkruan ai.

Michnik-u, që besoi se pushtetit diktatorial mund t’i rezistohej nëpërmjet kulturës, përkundër faktit se ishte i burgosur politik, nuk pranon të quhet “ikonë e heroizmit”. I beson Berthold Brehtit që thotë: “është fatkeq vendi që i duhen heronj”. Michnik ishte vetëm një “luftëtar për një jetë normale”. Pas rënies së sistemit diktatorial ishte kundër akuzave ndaj atyre që nuk e kundërshtuan hapur regjimin komunist. “Ata që gjatë komunizmit botuan libra për Kantin, Shekspirin, Danten, i mbrojtën vlerat themelore të kulturës europiane”, shkruan Michnik-u, që është edhe kundër hakmarrjes dhe revanshizmit ndaj shërbëtorëve të regjimit, por jo edhe transformimit të tyre në viktima.

Michnik u shpreh kundër keqpërdorimit të lustrimit. Viktima duhet ta dinte se kush ja kishte shkatërruar jetën, por lustrimi nuk duhej që të keqpërdorej për shantazh, sepse ishte metodë e sistemit diktatorial.

“Natyrisht që poshtërsia duhet dënuar, tradhtia duhet të thirret me emrin që ka, krimi duhet të ndëshkohet. Natyrisht që çdo njeri duhet ta ketë të drejtën të dijë për njerëzit që i kanë helmuar atij jetën, të dijë për informatorët, provokatorët, tradhtarët. E kjo nuk do të thotë të jesh dakord me lodrat e Lustratorit të Madh”.

Lustratori i Madh nuk duhet të bëhet heroi i ri. Ai bëhet edhe prokuror, edhe gjykatës, edhe gazetar, edhe kritik letrar, edhe historian, por edhe politikan. “Lustratori mua personalisht më tremb – gjithmonë do ta shoh nga duart”…

Michnik është kundër nacionalizmit, sepse, sipas tij, është në kundërshtim me idenë e krishterë, ngase e lartëson vetveten kundrejt të tjerëve. “Besimi në komb nuk mund të jetë si besimi në Zot. Kur besimi në komb e zëvendëson besimin në Zot, atëherë kjo çon drejtpërdrejt në urrejtje dhe barbari”. Ky barazim krijoi kasaphana në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme.

Në Europën e sotme ai sheh si ndodhin dy procese të ndryshme: ai i integrimit dhe i dezintegrimit. Dezintegrimi është pasojë e rritjes së nacionalizmit në Europë. Nacionalizmi rritet si pasojë e pasigurisë. Përkatësia e një kombi ndjehet nëpërmjet mburojës. Identiteti nacional bëhet njëfarë sigurie. Projekti nacionalist i kërkon fajtorët gjetkë: fajtor është fqinji, i huaji, emigranti, qendra.

Michnik ishte ndër të parët që e kundërshtoi regjimin e Millosheviqit dhe ishte ndër të parët që e përshëndeti arrestimin e tij. Millosheviqin e quajti kriminel të rëndomtë, që serbëve u solli humbje dhe turp. Aparatçiku komunist, pasi u bë idol i turmës, u shndërrua në shovinist, por për lartësimin e tij kontribuuan elita intelektuale, klerikale dhe gazetarët. Lufta në Ballkan, thotë Michnik, kishte filluar në media, kur “gazetarët patriotë” u shndërruan në instrumente të propagandës zyrtare nacionaliste.

Sot si rrezikun më të madh për demokracinë dhe për Europën e konsideron Putinin, të cilin e krahason me kumbarin Corleone. “Presidenti rus, Vladimir Putin sillet si bos mafie. Duke e pushtuar dhe aneksuar Krimenë, i drejtoi armët ruse Ukrainës dhe tha: ose sovranitetin territorial, ose jetën. Deri tani, strategjia e tij ka funksionuar dhe Putini e di këtë. Bosët e mafies shpesh herë kanë fat të palumtur dhe unë nuk mendoj që Putini do të gjejë një fat më të mirë në fund. Fatkeqësisht, shumë njerëz do të lëndohen në ndërkohë, madje edhe ata që tani e mbështesin.”

Michnik nuk pajtohet me metodat europiane për zbutjen e Putinit, sepse “ai është politikani që e ka aventurizmin dhe teprimin si stil jetese”.

Qasjet e Adam Michnik-ut dhe të disidentëve të tjerë të Europës Qendrore janë shumë të vlefshme, veçanërisht për sisteme të degjeneruara shtetërore, që e degjenerojnë shpirtin e njeriut, i cili vazhdon të jetojë me maskë në fytyrë, kurse elitat, që i quajmë intelektuale, janë elita partiake apo shtetërore; janë elita refrenesh, banalitetesh të kiçit; janë elita servile, që e lavdërojnë dhe nuk e kritikojnë Princin; kurse kauzat personale i paketojnë si kauza të përgjithshme.

Sot jetojmë në kohën që nuk njeh autoritete morale. Një shoqëri pa autoritete morale është e mjerë. Autoritetet morale nuk krijohen me dekret. Autoriteti i vërtetë moral krijohet nëpërmjet veprimtarisë së tij publike dhe nëpërmjet parimeve të qëndrueshme të tij.

“Sëmundja e kohës sonë: vazhdojmë t’i shkatërrojmë autoritetet morale. Secilin e kemi ngritur në piedestal dhe ja kemi besuar mendimin publik. Ky është hobi i rrezikshëm. Kjo rrugë nuk shpie tek e vërteta, por te nihilizmi”, thotë Michnik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP