Ndryshimi i Kodit, kusht i BE-së

Përkrahja ndërkombëtare për heqjen e shpifjes nga Kodi Penal, diçka për të cilën gazetarët protestuan në rrugë dhe e bojkotuan skenën politike në tërësi, sa vjen e shtohet.

Kjo çështje tani është bërë kusht edhe nga BE-ja, pa i dhënë politikës në Kosovë asnjë mundësi tjetër. Pyetësori i dorëzuar Prishtinës për studimin e fizibilitetit në mesin e shumë pyetjeve e përmban edhe pikën ku shumë qartë bëhet e ditur se shpifja nuk duhet të jetë pjesë e Kodit Penal.

“A është shpifja kundërvajtje penale në Kosovë? Nëse po, kur e ka ndërmend Kosova që ta heqë shpifjen nga Kodi Penal”, thuhet në pyetësorin e përgatitur nga Komisioni Evropian, raporton Zëri.

Pyetësori me 400 pyetje i është dorëzuar Kosovës më datën 7 maj, i cili nga Ministria për Integrime Evropiane menjëherë u është dërguar të gjitha institucioneve relevante të Kosovës për t’u marrë me çështjet për të cilat Brukseli dëshiron të dijë.

Pyetësori duhet të kthehet në Bruksel në pjesën e parë të qershorit, ndërsa pak kohë më vonë, gjatë muajit qershor, një ekip ekspertësh evropianë do të dërgohet në Kosovë për të verifikuar atë që është kthyer nga Prishtina.

Kjo i bie që më së largu deri në pjesën e parë të qershorit, Kuvendi duhet ta ndryshojë Kodin Penal, në të mirë të gazetarëve, pasi ndryshe kjo mund të ndikojë në vlerësimin që do t’i japë Kosovës Brukseli. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button