VIDEO- Reportazh për protestën STOP MONTIMEVE POLITIKE

Të premten që kaloi (11 maj 2012) në Shkup u zhvillua njëra nga protestat më masive ndoshta në këto dhjetë vitet e fundit nga shqiptarët, gjegjësisht muslimanët në Maqedoni. Motivi u iniciua nga arrestimet e 1 majit të policisë, aksion ky që përfshiu 800 pjesëtarë të forcave policore në të cilin u arrestuan njëzetë persona në orët e hershme të mëngjesit. Të gjithë këto persona fillimisht akuzoheshin për terrorizëm për vrasjen e pesëfishtë makabër të 12 prillit, për të dalë më pas se vetëm pesë prej tyre janë të dyshuarit kryesor, trembëdhjetë u liruan, dy janë në arrati dhe pesë mbetën në paraburgim. 

Përpos procedurës së arrestit e cila sipas ekspertëve  dhe organizatave për të drejtat e njeriut shkeli të drejtat dhe liritë themelore të të dyshuarve, duke mos lënë anash dhe mos respektimin e prezumpcionit të pafajësisë, nebuloza mbuloi rastin e Haki Hazirit, i arrestuar që iu humb nami për plotë shtatë ditë. Pas shumë deklaratave kontradiktore të autoriteteve, spekulimeve të medieve ai nga dëshmitari i mbrojtur u kthye në të dyshuar për terrorizëm. 

“Rasti i fundit i ngjan Sopotit, montimit klasik politik kundër shqiptarëve” u shpeshtuan zërat dyshues. Numëronin rastet e Ladorishtës, të Gostivarit, Brodecit,  Haraçinës e deri në këtë të fundit Sopot. 

Situata e tillë e stërmbushur me tension religjioz dhe etnik duke pasur parasysh dhe përvojën e Maqedonisë në këtë kontekst, bëri që njëzet mijë shqiptarë të dalin rrugëve për demonstrata vetëm në Shkup. Të ngjashme u mbajtën dhe në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë. Protestat u organizuan në rrjetin social Facebook, pa organizatorë të caktuar me një indikator POPULLIN. 

Në komunikatë e Popullit thuhej: Këto protesta po organizohen me të vetmin qëllim që, të gjithë opinionit në Maqedoni, por edhe opinionit ndërkombëtar t’u tërhiqet vëmendja mbi disa pika thelbësore rreth ngjarjeve të fundit:
1.Ne me sinqeritet të plotë e ndajmë dhimbjen me familjarët e të rinjve maqedonas, të vrarë kohë më parë dhe kërkojmë që vrasësit e vërtetë sa më parë të dalin para drejtësisë.
2.Protestojmë mbi ofendimet që qeveria i bëri popullit shqiptar të përkatësisë fetare islame duke ua ofenduar bindjet e tyre fetare islame, si dhe duke shkelur mbi dinjitetin e motrave tona të arrestuara pa vend.
3.Ne reagojmë ashpër mbi tentimet e qeverisë së Maqedonisë (posaçërisht MPB-në), që të krijojë proces të montuar politik. Dyshimet tona i bazojmë në faktet e pamohueshme ligjore deri sot, siç janë rastet e Sopotit, Haraçinës, “Vreshtat e Rashtakut”, të cilat nga organet e rendit dhe ato juridike të Maqedonisë, rezultuan me procese të montuara politike.
4.Po ashtu shprehim indinjatën tonë që subjekti shqiptar në qeveri, nëpërmjet zv/ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëdhënësit të partisë, e legjitimuan këtë ofendim ndaj popullit të tyre, si dhe shkeljen flagrante të të drejtave elementare të njeriut dhe këtë tentim për proces të montuar politikisht
5.Apelojmë deri tek të gjithë institucionet ndërkombëtare (OSBE, SHBA, BE, Turqi, Shqipëri dhe Kosovë) që të insistojë të krijohet Komision i pavarur hetimor (i përbërë edhe nga ekspertë ndërkombëtarë), me qëllim të zbardhjes së drejtë të fatit të të gjithë të arrestuarve.
6.Besojmë që në fund drejtësia do të vijë në vendin e vet, sikur për të rinjtë e vrarë maqedonas, po ashtu edhe për ata të cilëve po tentohet t’u krijohet proces i montuar politik.
Ky reagim u dërgua deri te: Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, Ambasada e SHBA-ve në Shkup, Delegacioni i BE-së në Maqedoni, Misioni i OSBE-së në Shkup dhe ambasadave të Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë. 

Ndërkaq në rrugë, ditën e protestës në Shkup, reporteri i Portalb bisedoi me disa nga protestuesit.

“Mendoj se nënat, motrat dhe  vëllezërit tonë, kanë qenë dhe janë të pafajshëm dhe i kanë munduar shumë, për atë shkak besoj se do ndikon pozitivisht ky protest dhe situata do të përmirësohet, ashtu që të lirohen të arrestuarit” tha një protestues për Portalb.

“Besoj që me ketë protestë në një farë mënyre i bëjmë shtypje institucioneve shtetërore që mos të ketë montim të procesit gjyqësor por procesi të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të arrihet një vendim i ligjshëm duke mos e montuar procesin. Jemi krenar që ka aq shumë shqiptarë në këtë protestë t’i mbështesim vëllezërit tonë të arrestuar, edhe pse ka mundur të dalin po edhe më shumë. Dua të përmend se Jankullovska si ministre e punëve të brendshme e ka shkelur prezumimin e pafajësisë duke i etiketuar të arrestuarit si terroristë dhe radikalist islamik, ku nuk guxon të prononcohet në këtë mënyrë derisa nuk është ndërmarrë vendimi i plotfuqishëm gjyqësor në seancën e shqyrtimit kryesor” tha një protestues për Portalb.

“Motoja e shqiptarëve në këtë protestë është t’i themi mjaft montimeve politike dhe t’i gjykojnë në bazë të ligjit, kurse ne kemi dal në këtë protestë ta shfaqim pakënaqësinë që i kanë burgos vëllezërit tanë pa asnjëfarë arsye, dhe mendoj se e kanë montu ketë proces. Unë kisha pasur dëshirë që me qëndru këtu para qeverisë dhe gjykatës me muaj deri sa të zhvillohet procesi në mënyrë të drejtë dhe të lirohen shqiptarët e pafajshëm të arrestuar” tha një protestues tjetër për Portalb.

Para fillimit të protestave, apele për qetësi dhe dinjitet kishte nga të gjithë partitë politike, analistë dhe përfaqësues të ndërkombëtarëve.

Ende s’ka filluar procesi gjyqësor për këtë çështje. Flitet se protestat do të vazhdojnë dhe të premtet e tjera. Pranverë arabe në Maqedoni? Ndoshta.

Shikoni më poshtë video materialin e Portalb, nga fillimi e deri në fundin e protestës.
/Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button