Më 20 shkurt 1991 u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës në Tiranë (VIDEO)

Data 20 shkurt sjell në kujtesë 20 shkurtin e vitit 1991 kur në Tiranë, mijëra qytetarë të revoltuar dhe të indinjuar nga sistemi diktatorial, përmbysën monumentin e diktatorit Enver Hoxha, transmeton Syri.net.

Mijëra vetë vërshuan drejt sheshit “Skënderbej” dhe rrethuan monumentin. Një nga dëshmitarët e asaj dite ishte Serxho Petrela, i citi në kujtimet e tij botuar në media ka rrëfyer: “Unë jam pinjoll i një familjeje tiranase, me profesion piktor. Jam gjendur atë ditë pothuajse rastësisht në atë shesh bashkë me mijëra të tjerë. Vij nga një familje jo e persekutuar politike, që nuk pësoi atë diktaturë të egër klasike të burgosjes dhe të persekutimit, të internimit, por fal Zotit që në rini më është krijuar bindja që ai regjim duhej rrëzuar sepse ai regjim kishte marrë lirinë time dhe të shqiptarëve.

Mund të them që ajo ditë bëri ndarjen e epokave, por fatkeqësisht na tregoi se ndarja ishte e thellë mes nesh dhe atyre që kërkonin të përmbysnin përbindëshin e kuq. Sigurisht që emocionet e asaj dite janë të mëdha. Do të përmend faktin që përveç atyre mijërave që morën pjesë tek studentët ai karvan i madh që erdhi në shesh për të rrëzuar bustin e Diktatorit atë ditë, kanë qenë çunat e rrugës së Durrësit dhe të Kavajës, e Pazarit të Ri që ishin të vendosur për ta rrëzuar atë kërmë. E theksoj se rrëzimi i bustit nuk është vetëm trofe i studentëve por është edhe merita e insistimi i qytetarëve dhe djemve të Tiranës. Atë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ata sot janë heronjtë e heshtur. Sot ata vazhdojnë jetën e tyre në Shqipëri dhe jashtë vendit. Ta kujtojmë gjithmonë këtë ditë si dita jonë, dita e lirisë, dita e vlerave”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button