Protesta me gabime logjike

Fëmijë, ju nga dje dhe ju sot. Kush ju dërgoi në protesta? Thoni atyre që ju kanë dërguar t’i dërgojnë vajzat dhe djemtë e tyre të thyejnë nëpër rrugë, të rrihen me policinë dhe të kërkojnë vdekje për, siç thoni ju “kaurët” dhe “shiptarët”. U thuani atyre që ju kanë dërguar t’u shpjegojnë më mirë se kujt dhe me çfarë porosi do t’i drejtoheni.

A ju protestohet pa arsye, ju mungon agresioni ose keni ndonjë qëllim konkret?
Në qoftë se vetëm ju protestohet, atëherë gjeni ndonjë arsye tjetër dhe kërkoni diçka që është e arritshme, diçka konkrete dhe diçka për të cilën secili di t’ju kuptojë. Ja për shembull, protestoni kundër kushteve të këqija në të cilat punojnë minatorët dhe punonjësit e tjerë. Protestoni për rritjen e sigurisë së tyre, që të mos vdesin në vend të punës. Protestoni për jetë, sepse nesër mund të ndodhë që edhe babai juaj që është punonjës, të rrëshqasë dhe të rrëzohet në ndonjë objekt të pasiguruar.

Në qoftë se ju protestohet me qëllim që të liroheni nga agresioni i akumuluar, shkoni në ndonjë ndeshje sportive, bërtisni, regjistrohuni në kurs për kik boks, luani një lojë në Counter Strike, copëtoni ca drunjë.

Por, në qoftë se keni ndonjë qëllim konkret dhe në qoftë se protestoni për ose kundër ndonjë paraqitjeje ose ndonjë ndryshimi, atëherë uluni, mendoni dhe pyetuni se a mund t’i arrini qëllimet e juaja me protesta të këtilla. Cilat janë qëllimet e juaja, cilat janë porositë e juaja? Kujt po ia drejtoni ato?

Ju të parët thoni se protestoni kundër proceseve të montuara në rastin “Monstrum”. A dini ju diçka që s’ dimë ne? “Monstrum” është një rast i montuar? Në qoftë se është ashtu, na ndriçoni, nxjerrni dëshmitë dhe na shpjegoni të gjithëve montazhin, do të flemë më lehtë dhe do ta dimë se kush po luan me shtetin. Ndërsa, kujt po i drejtoheni që të ndalojnë rastet e montuara? Qeverisë, BDI-së, Gjykatës? Përsëri, nëse keni informata se Qeveria, BDI dhe Gjyqi e kanë montuar këtë rast, dilni publikisht me emër dhe mbiemër dhe paraqitni dëshmitë. Në të njëjtën kohë potenconi se shqiptarët dhe muslimanët në Maqedoni nuk janë islamistë radikal. Edhe unë mendoj ashtu, por ajo që po bëni në rrugë nuk po përshtatet me porosinë tuaj. Duke thyer dritare të hapësirave publike dhe duke gjuajtur me gurë policinë po paraqitni një pamje krejtësisht të kundërt.

Ju të dytit thoni se po protestoni kundër islamizmit radikal. Ma merr mendja se islamizmin radikal po e lidhni me vrasjen e pesëfishtë nga rasti “Monstrum” dhe me deklaratat e Jankullovskës se vrasësit janë islamistë radikalë. Edhe të jetë ashtu, të cilën nuk mund ta dimë deri në momentin kur gjyqi të vendosë, na shpjegoni se si do të luftoni kundër islamizmit radikal me protesta të tilla. Jeni mbledhur para Qeverisë, sulmoni policinë dhe gazetarët, e në të njejtën kohë luftoni radikalizmin. Luftoni së pari kundër radikalizmit tuaj.

Është krejtësisht jo logjike ajo që shpesh nëpër protesta dëgjojmë porositë “vdekje kaurëve” dhe “vdekje shiptarëve”. Vallë, vdekja do t’ju sjellë deri tek qëllimi? Kur thërrisni mesazhe të tilla, a aludoni në spastrime etnike? A mendoni se dikush do kishte guxuar që në shekullin 21 në Maqedoni të kryejë spastrim etnik dhe, mendoni se NATO do të qëndrojë e qetë kur të shohë se si po vritemi ne? Jo, në Maqedoni nuk është e mundur që të ndodh vrasje masovike në bazë etnike dhe religjioze dhe këto porosi janë krejtësisht jashtë kontekstit në të cilin po i organizoni protestat. Tentimi i fundit për spastrim etnik në rajon ishte ai i Millosheviqit dhe të gjithë e dimë se si përfundoi ajo histori. Dhe mos u mundoni që me mesazhe vdekjeje të mundoheni të tregoni që nuk jeni radikalë dhe se po luftoni kundër radikalizmit.

Paramendoni se çka do të kishte ndodhur në qoftë se në protestën kundër brutalitetit të policisë e cila u mbajt vitin e kaluar, pjesëmarrësit do të kishin demonstruar dhunë ndaj policisë. A mund të luftohet kundër brutalitetit të policisë dhe në të njëjtën kohë ta praktikosh atë? Kjo është njëlloj sikur të shpëtosh dikë nga vjedhësi me dorën e djathtë dhe me të majtën ta vjedhësh kuletën e dikujt tjetër.

Dhe më në fund, prej ku ju erdhi vala e agresionit ndaj gazetarëve? Në qoftë se keni qëllim dhe dëshironi që t’i drejtoheni dikujt (shoh se i drejtoheni Qeverisë, politikanëve dhe gjyqeve), mediumet janë të parët të cilët do t’ju ndihmojnë që mesazhet e juaja të arrijnë deri te qytetarët dhe deri te institucionet. Mediumet janë zëdhënësit e juaj, ndërsa ju i rrihni ata. Çfarë proteste është ajo për të cilët mediumet nuk duhet të njoftojnë? Dhe çfarë proteste është kundër radikalizmit dhe dëshiron të tregojë se në Maqedoni nuk ka radikalizëm dhe në të njëjtën kohë demonstron sjellje radikale dhe të dhunshme ndaj mediumeve.

Shumë pyetje dhe shumë gabime logjike. Dhe për gjithë këtë nuk jeni fajtor ju që dolët në protesta, por ata të cilët i organizuan ato, të cilët nuk kishin guximin as t’i paralajmërojnë ato dhe të dalin në mënyrë publike si organizatorë. Në qoftë se organizatorët mendojnë se me këto protesta do të përleshen të gjithë krishterët dhe muslimanët në këtë shtet dhe se këtu popullata që i përket një feje do të luftojë kundër atyre të fesë tjetër, kanë bërë gabim të madh. Edhe maqedonasit e  edhe shqiptarët e Maqedonisë e dinë se këtu do të jetohet jetë, pa marrë parasysh se a do të ketë bashkëjetesë ose jo. Edhe nëse dikush tjetër do të vendos  ndryshe, SHBA-të dhe BE nuk do ta lejojnë atë. 

Marjan Zabrçanec

Lajme të ngjashme

Back to top button