Haradinaj: Dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të mbyllet me njohje reciproke.

Sipas Haradinajt, Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti dhe shembull i fqinjësisë së mirë dhe e angazhuar në dialog me të gjitha vendet e rajonit.

Në takimin zyrtar me senatorin amerikan Ron Xhonson, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiq dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delavie, u bisedua për zhvillimet politike aktuale në vend, për mbështetjen e gjithanshme të SHBA-së  për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit, përcjell MIA. 

Haradinaj e theksoi nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Përkrahja e SHBA-së është shumë e rëndësishme për ne. Kosova dhe populli i saj do të jetë përherë falënderues për ndihmën që SHBA-së dhe populli amerikan kanë dhënë në të gjitha periudhat”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj euroatlantike duke thelluar reformat e brendshme, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në forcimin e institucioneve demokratike.

Xhonson, sipas njoftimit nga kryeministria, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button