Takimi i Xhaferit me koordinatorët, nuk është caktuar seancë plenare as për këtë javë

Edhe pas mbarimit të koordinimit të rregullt të përfaqësuesve të grupeve të deputetëve me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk ka informata se kur dhe nëse këtë javë pritet që Kuvendi të mbajë seancë plenare ose seancë të ndonjë prej komisioneve. Nuk është e sigurt se do të mbahet edhe seanca për pyetje të deputetëve, e cila duhet të mbahet të enjten, njofton Portalb.mk.

Të kontaktuar nga Portalb.mk, nga Kabineti i kryetari të Kuvendit, thonë se kur të vendoset që të mbahet seancë plenare, atëherë do të vendoset në ueb-faqen e Kuvendit. Seancë plenare nuk caktohet, për ashtu siç thonë nga Kuvendi, përsëri nuk ka kuorum për punën e Kuvendit, pasi që disa deputetë janë në udhëtim zyrtarë në Vjenë, ka një deputete të lënduar dhe një tjetër është në pushim të lindjes.

Në takim e sotëm, nuk ka marrë pjesë përfaqësuesi i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi dhe përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.

Vazhdon bllokada

Bllokada e punës së Kuvendit është shkaktuar që kur, VMRO-DPMNE-ja, ka dorëzuar mbi 35.000 amendamente vetëm për ligjin për përdorimin e gjuhëve. Gjatë dy javëve të fundit, nuk është mbajtur seancë plenare, me arsyetimin se deputetët janë në udhëtime jashtë vendit.

Portalb.mk, ka kontaktuar me VMRO-DPMNE-në, për t’i pyetur nëse kanë ndryshim të qëndrimeve në lidhje me çështjen e amendamenteve për ligjin për përdorimin e gjuhëve, por ato thonë se nuk tërhiqen nga ajo që kërkojnë.

“Ligji duhet të kthehet në fillim dhe të mënjanohen të gjitha pikat për të cilat nuk pajtohemi, pasi që është i dëmshëm edhe për shqiptarët edhe për maqedonasit. Në hartimin e ligjit duhet të marrin pjesë personalitete nga të gjitha fushat, në mënyrë që i njëjti më pas të jetë i pranueshëm për të gjitha palët”, tha Gjorçev për Portalb.mk.

Ndryshe, mbi 35 mijë amendamentet e propozuara nga VMRO-DPMNE-ja për ligjin e gjuhëve, e kanë paralizuar punën e Kuvendit. Edhe vetë kryeparlamentari Xhaferi, të njëjtat i ka cilësuar si bllokadë të Kuvendit të Maqedonisë, ndërkaq nga ana tjetër VMRO-DPMNE thirret në atë se ato kanë për synim të arrijnë barazi sociale dhe janë në pajtueshmëri me vërejtjet e kryetarit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Xhaferi ligjin për përdorimin e gjuhëve disa herë e ka cilësuar si ligj tashmë të miratuar dhe tha se nuk mund të pranohen amendamente shtesë për shkak se kjo do të binte në kundërshtim me vetë Kuvendin i cili paraprakisht e kaloi në leximin e dytë.

Shumica kanë konfirmuar se koordinohen për të gjetur mekanizma për miratimin e serishëm të ligjit pasi opozita ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga amendamentet, transmeton Portalb.mk.

Si të zhbllokohet situata?

Sipas ekspertëve, që mos të shkelet rregullorja si dhe nga ana tjetër mos të merret Kuvendi vetëm me një ligj dhe të neglizhojë ligjet tjera, seancat plenare mund të ndahen në dy pjesë. Në një pjesë të diskutohen amendamentet e ligjit dhe gjysmën tjetër të miratohen ligjet tjera duke pasur parasysh se faza e ardhshme gjashtëmujore është e rëndësishëm për Maqedoninë dhe priten të miratohen ligje të rëndësishme që përcaktojnë edhe fatin evro-atlantik të Maqedonisë.

Kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi tha se nëse VMRO-DPMNE-ja nuk heq dorë nga amendamentet, kurse nuk shpreh vullnet as për konsensus politik, do të ndërmarrë hap tjetër duke mos specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Sipas ish kryeparlamentarit të Maqedonisë, Stojan Andov, Xhaferi mund ta shkelë rregulloren e Kuvendit.

“Hapi që duhet të merret nga Talat Xhaferi është jashtë çdo procedure kuvendare siç janë edhe 35 mijë amendamentet e VMRO-DPMNE-së që janë jashtë çdo procedure”, tha Andov.

Mijëra amendamentet e VMRO-së, vetëm një mundësi mund ta “shpëtojë” Parlamentin e Maqedonisë nga bllokimi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button