GJUMI SI MËNYRË JETESE

Një ftesë nga gazetarja e një TV-je private për të qenë mysafir në emisionin e mëngjesit që paska ndryshuar formatin nga “8 pa 5” në “Paradite me ne”, që tani emetohet nga ora 10. Bisedojmë për ‘celularët e urtë’ (të mençur) dhe ndikimin e tyre te kategoria e fëmijëve por edhe më gjerë, tek të gjitha shtresat dhe brezat, sepse edhe më të rriturit nuk mund të thonë se nuk ndikohen nga këto vegla teknologjike të shoqërisë së katërt, të informacionit dhe robotikës. Dhe pas emisionit, në zyrën e kryeredaktorit për kafenë rituale. Isha kurioz të di pse e kanë ndryshuar itinerarin, pra kohën e emetimit të kësaj pjese programore. “Shikueshmëra, profesor” – tha. “Auditori ynë bën gjumë herët në mëngjes, zgjohet më vonë.” Aha, shumë e vërtetë. Si dhe sa ka ndryshuar koncepti i organizimit të ditës dhe përditshmërisë së shqiptarit nga e kaluara deri më sot?! Sociologjikisht, dikur zgjimi herët konsiderohej virtyt ndërsa zgjimi vonë cen i pafalshëm. “Gjumash” e “dembel” ishin  epitete të padëshirueshme, cilësime shumë negative, ndërsa sot nuk çan kokën kush. “Jetoj si dua vetë dhe zgjohem kur dua vetë” – kjo është formula e shqiptarit të sotëm, në veçanti të atij rinor.

Ky botëkuptim dhe perceptim për mënyrën e jetesës dhe kohën ka prurë një plogështi të jashtëzakonshme, një antidinamizëm të paparë, saqë i bën të habiten e të shashtisen edhe shqiptarët tanë që jetojnë jashtë po edhe të huajt që vizitojnë trojet tona. Dikur thuhej se bereqeti është në raport të drejtë me zgjimin herët (“Engjëjt ndajnë nafakën në agim”), ndërsa sot me fatin në bastore, me subvencionet sociale shtetërore ose me forcën e vëllait të madh në kurbet. Është për t’u habitur se zgjohen pesëtarët më në moshë të familjes, pleqtë, njerëzit inaktivë për punë, gjyshi e gjyshja, ndërsa bëjnë gjumë pjesa më vitale, pa iu bërë pët syri. S’mund të trokasësh në derë te askush para orës nëntë nëse s’ka ndonjë plak në shtëpi.

Një radhë një mysafir i yni prej një shteti të huaj duke parë atmosferën këtu tek ne, nonshallancën me të cilën jetohet jeta, çaj, espreso-makiato kulturën, mes tjerash m’u drejtua me këto fjalë: “Vërtet Zoti ju do juve më shumë se neve atje?” Hahaha! Si? – e pyeta. “Po tek ne, nëse nuk punon tre ditë, bllokohesh, s’mund të funksionosh, të jetosh. Ndërsa këtu tek ju çdo i treti nuk punon dhe s’ju mungon qime prej flokëve, jetoni si grofë, hani, pini, kënaqeni si mos më mirë! Bëni gjumë, të gjithë tapë deri në drekë.” Është e vërtetë, thash me vete, s’di nga na vjen gjithë kjo e mirë, ky bollëk, kjo zdërhallje, kjo mundësi për të jetuar duke bërë gjumë. Vetëm një Zot e di. Kafet plot. Madje pyesim për brendin, Lavazza, Illy, Ama… Restorantet vlojnë, arat djerrina, janë humbur kufijtë që i mësojmë vetëm kur vjen ndonjë “bingo” (transkasion). Katundarët janë bërë qytetarë, blejnë gjithçka nga mielli deri te qumështi e vezët. Por kjo gjendje e ‘rehatisë e lumturisë së rrejshme’ nuk besoj se do shkojë gjatë. Ligji i jetës nuk lejon mutacione nga normat sociale të natyrshmërisë, të ligjot “puno-gjallëro”. Nuk mundet të jetosh pa punuar. Askush. Dhe rrjedhimet e këtij dembelizmi masovik: Vjedhje atje, hajni këtu, bankomat i grabitur në x zonë, mafiozitet në anën tjetër, narkomani, drogëra në katër anët, vrasje. Nga kriza me ndjes dhe vizita e bastoreve dhe kazinove shumë të njerëz shesin arat, shtëpitë, ndahen prej grave… Dhunë familjare sa të duash, hajdutëri e kriminalitet “me bollëk”. Pse? Sepse kjo gjeneratë është mësuar të hajë e të pijë pa punë, pa e lagur këmishën, pa i përlyer duart. Një pjesë e rinisë së ngathët zgjedh njërën nga dy rrugët: grabitjen ose trafikimin e gjërave të ndaluara. Formula që na e mësonin pleqtë “gjumit s’ia ka pa hajrin kush” është masovizuar në formën “punës s’ia ka pa hajrin kurrkush”. Disa e kanë ndryshuar edhe naimianen “Punë punë natë e ditë….” në “Gjumë gjumë natë e ditë….” Dhe rezultatet s’duan koment. S’je i sigurt për kuletën, për çantën, gomat e makinës, veturën vetë, madje as për jetën. Anarki totale.

Kjo është mendësi anakronike, që është në oponencë absolute me konceptin për kohën që ka kapitalizmi liberal që qeveris botën sot. “Koha është para, koha është jetë!” – thotë ai. Nëse mendojmë se jemi jashtëkohorë mashtrohemi. Seleksionimi natyror nuk i duron pasivët, kërkon aktivizëm në çdo moment, madje edhe në gjumë. Puna liron, të çliron, të fal lirinë, të bën të pavarur. Sikur gjermanët të kishin fjetur pas Luftës së Dytë Botërore, sikur të kishin bërë gjumë, do ishin koloni amerikane dhe ruse. Dhe “arbeit kultura”  i ka bërë kombin më të përparuar të Europës, një ndër ekonomitë më të mëdha të botës. Atje ndryshon edhe yni, shqiptari. Tregon një mik rastin e një të riu të cilin e kanë vizituar pasi është vendosur në Gjermani pas martesës me letra, me shqiptaro-gjermane. Ora 5:30, me rrobat e punës, kaskën në kokë. Djali që këtu i kumbonte makina nga muzika dhe JBL dhe BOSSE zëruesit, që dridhte edhe kokën edhe veturën kur kalonte. “Ej shoku, këtu nuk është Maqedoni, këtu ka rregulla. Unë duhet të jem në kohë fikse në vendin e punës. Arbeit. ” “Eh arbeit, ama te ne sa ishe ‘niks arbeit’ (s’ia varje punës) be nip!” – kishte thënë vizitori. Shyqyr – kishte shtuar në vetëvete. “U paska bërë njeri”.

Megjithatë pamja nuk është krejtësisht e zezë. Para do kohe duheshte të takohem me një nga afaristët më të mëdhenj shqiptarë tek ne dhe duke diskutuar tajmingun e takimit, më tha se orën 7 të mëngjesit e ka rutinë, përditshmëri.  Para punëtorëve në vendin e punës, gjatë gjithë karrierës. Ka edhe njerëz që punën e kanë mënyrë jetese, që çmojnë mundin, përpjekjen, hallallin, që nuk iu vjen turp të ruajnë edhe bagëtinë, të vijnë nga zyra dhe të futen në serrë… që bëjnë pak gjumë e shumë punë. Sikur mos të ishin pjesa e të zellshmive dhe të vyeshmëve do ndodhte fundi i botës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button