Maqedoni, gjobat e larta ngufasin zhvillimin e bizneseve

Afaristët në Maqedoni thonë se edhe kjo përbërje qeveritare vazhdon me politika ndëshkuese duke bërë që të ngulfatet zhvillimi i biznesit në vend, shkruan REL.

Komuniteti i biznesit në Maqedoni ia ka rikujtuar kreut të Qeverisë, Zoran Zaev, premtimet parazgjedhore që inspektorët, para se të vendosin t’i gjobisin kompanitë, ato paraprakisht të paralajmërohen duke u lënë një hapësirë të caktuar kohore që t’i eliminojnë shkeljet ligjore që kanë të bëjnë me zhvillimin e biznesit të tyre.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se në kuadër të këtij dikasteri, tashmë është formuar një grup punues për t’i përgatitur ndryshimet ligjore në Ligjin për procedurë penale. Ndërkohë, kanë paralajmëruar dhe uljen e gjobave kundërvajtëse për kompanitë. Këto risi, siç njoftohet, pritet të zbatohen nga gjysma e dytë e këtij viti.

Por, Menderes Kuçi biznesmen, i cili ka drejtuar dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-perëndimore, për Radion Evropa e lirë thotë se duhet t’i jepet fund procesit të ndëshkimit përmes gjobave të kompanive që s`janë të afërta me pushtetin.

“Ne nuk duam të vazhdojë skenari i Qeverisë së kaluar, aq më tepër kompanitë në vend se ta shtrijnë biznesin, ato të mbahen të tensionuara nga frika e gjobave nga ana e inspektorëve pa u dhënë atyre një afat kohor për t’i eliminuar parregullsitë. Nuk ka nevojë të pritet për ndryshime ligjore, gjithçka është në duart e inspektorëve, ka mjaft hapësirë që ta lexojnë ligjin ashtu siç u konvenon atyre”.

“Ajo që presim nga kjo përbërje qeveritare, është vullneti i mirë që nënkupton inspektorët fillimisht t’i paralajmërojnë biznesmenët për shkelje të paqëllimta, të kalojnë fillimisht me paralajmërim si fazë e parë dhe pastaj nëse përsëriten gabimet të kalohet në gjobitje”, konsideron Kuçi.
Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë gjithashtu kanë kërkuar që të mund të zbatohet dhe mundësia e ankesës në gjykatë kur kompanive të caktuara do t’u shqiptohet ndonjë dënim, gjë që nuk është e lejuar aktualisht.

“Kompanitë që për herë të parë kanë bërë kundërvajtje, të mund të kenë të drejtë ankimimi apo t’u lihet hapësirë që ata në një afat të caktuar kohor ta përmirësojnë gabimin, ose të kenë të drejtë të ankesave gjykatë”, pohon Tatjan Shterjova, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se kompanitë duhet me çdo kusht ta respektojnë Rregulloren dhe ligjet gjatë veprimtarisë së tyre, por gjobat në asnjë mënyrë nuk duhet parë si mekanizëm për mbushjen e arkës së shtetit, për çka ishte kritikuar në shumë raste qeveria e kaluar. Sipas ekspertëve, “ duhet gjetur mekanizma se si të ndihmohet biznesi për të respektuar standardet caktuara”.

Komuniteti i biznesit kërkon që ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje të përfshihen me strategjinë për reforma në sistemin gjyqësor që janë kërkesë e faktorit ndërkombëtar, sa i përket procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button