Të jetosh me kompleksin e popullit të komplekseve dhe besëtytnive

Ballkani, po në veçanti shembulli klasik i një tipologjie karakteristike të stërmbushur me besëtytni dhe komplekse, shqiptari i Maqedonisë, karakterizohet me një mendësi ndryshe nga të tjerët.  Të mjerit, sa herë që i ndodh diçka në jetë e ndërlidh me një gjë tjetër që s’ka të bëj me të parën. Në të njëjtën kohë, ai në aspekt psikologjik është i rrethuar me komplekse të llojit të ndryshëm.

Sa i përket të parës,  shqiptari është i ndërtuar me sistem të ndërlidhur besëtytnive. Nuk do të ju vinte aspak çudi që sa herë që do i kruhej dora e djathtë, do të ju kishte thënë “Do marr pare”,apo kur i ther këmba, se do prishej “havaja” (koha). Ekspertiza të llojit të këtillë të parashtrimit të ligjeve mbase mund të gjesh në shumë sfera të jetës. Nuk bën të priten thonjtë e këmbës edhe dorës në një ditë, macja nuk duhet të ta ndërpres rrugën, Babadimri ekziston etj. Jemi rritur me këto fjalë.

Në të njëjtën kohë, shumë komplekse  janë ndërtuar rreth tiparit karakteristik shqiptar.  Mbase kompleksi më karakteristik i tij, është të jetuarit për të tjerët. Kur futemi në këtë , e kemi patjetër të themi mirëserdhe në një botë ku i tërë fokusi sillet rreth bindjes klasike “plase komshiun, ani se vet s’je mirë”. Për komshiun, bashkëvendësin, bashkëfshatarin po jetohet në këtë botë. Nuk ka rëndësi mundësia materiale as vullneti personal, po ka rëndësi ajo se çfarë njerëzit do mendojnë për dasmën apo veturën time, për të cilën kam harxhuar kaq shumë energji dhe kohë nga jeta ime. Ky kompleks, i rrethuar nga zilia, xhelozia dhe smira zë vend kyç në jetën standarde të Shqiptarit të Maqedonisë.

Me të parë këto veti dhe karakteristika, parashtrohen shumë pyetje. A realizohen ato besëtytni realisht në jetë? Pse kanë ngelur  këto fenomene primitive  ende pjesë e jona kur e dimë se jemi sa pro fetar aq edhe pro-perëndimor? A ka rëndësi lumturia personale? Çfarë janë idealet tona reale jetësore?

Përderisa të gjejnë përgjigje këto pyetje, ne,gjenerata e re, e gatshme për ndryshim më shumë ngaqë nuk shohin alternativë tjetër përveç ndryshimit, e jo ngase janë të aftë për të bërë diçka të tillë (ku një pjesë e bukur ndryshimin e sheh në mërgim), jemi të ngarkuar me një detyrë të rëndë. Ne jemi ato që në pah duhet ta nxjerrim vlerën reale shqiptare, ti largojmë shumë tipare negative njerëzore ekzistuese  dhe të ndërtojmë pikëpamje pro-kozmopolitane, pro-avancimit dhe progresit.  PO, ne jetojmë me kompleksin e popullit të komplekseve, të ngërthyer nga të gjithë anët me ta. Për shkak të tyre jemi në ngërç total. Përderisa nuk gjejmë zgjidhje për këto dhe shumë probleme tjera ekzistuese që na shqetësojnë në çdo cep jetësor, na ngelet të ngulfatemi në atë që jemi. E përderisa jemi ato që jemi, e nuk ndryshojmë, kurrë situata reale nuk do ndryshoj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button