Përmirësohen shkëmbimi tregtar dhe marrëdhëniet e përgjithshme midis Maqedonisë dhe Bullgarisë

Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë dukshëm është rritur pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, vlerësuan presidentët e Republikës së Maqedonisë dhe të Bullgarisë Gjorge Ivanov dhe Rumen Radev pas takimit të djeshëm në Shkup me përfaqësuesit e odave ekonomike të të dy vendeve, transmeton MIA.

Ata porositën se Maqedonia dhe Bullgaria duhet të kenë bashkëpunim më të suksesshëm të biznesit,  infrastrukturë më të mirë, më shumë projekte, shkëmbim më të madh të mallrave dhe të njerëzve dhe komunikim më të mirë në të gjitha nivelet.

Ivanovi theksoi se besimi midis dy vendeve është në nivel të lartë, ndërsa është në dobi të Maqedonisë, sepse ndodh në kohën kur Bullgaria kryeson me Këshillin Evropian.

Presidenti bullgar potencoi se është shumë me rëndësi që sa më shpejt Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa investimet e huaja duhet të vijnë në çdo mjedis, me siguri më të vogël apo më të madhe.

 

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë në vitin 2017 ka qenë 664 milionë dollarë që është rritje prej 19,3 për qind në krahasim me vitin paraprak.

Në takimin me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin, Radev e përshendeti ratifikimin e Marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë si akt të rëndësishëm politik dhe të sjelljes shtetërore dhe theksoi se përkrahja e aktiviteteve të zbatimit të saj duhet të shënojë vazhdimësi edhe në të ardhmen.

“Marrëveshja hap dimensione të reja për perspektivën euroatlantike të vendit dhe në këtë kontekst, me rëndësi të veçantë është vazhdimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve, më konkretisht nëpërmjet grupeve të bashkëpunimit dhe nëpërmjet komisioneve parlamentare për çështje evropiane, politikë të jashtme dhe mbrojtje”, theksoi Radev.

Xhaferi, theksoi se veçanërisht i gëzohet përkrahjes së Republikës së Bullgarisë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE.

“Anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë në këto organizata edhe më tutje mbetet prioritet shtetëror kulmor, politik dhe strategjik. Për rrumbullakimin e suksesshëm të këtyre proceseve, Republika e Bullgarisë dhe institucionet e saj mund të japin kontribut të rëndësishëm me përvojën e tyre personale për realizimin e këtyre qëllimeve. Kreu shtetëror aktual i Republikës së Maqedonisë bën përpjekje për ti përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët edhe nëpërmjet hapave konkrete, siç është nënshkrimi i Marrëveshjes me Bullgarinë dhe me tejkalimin e çështjeve të hapura me Republikën e Greqisë, pret që të fitojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, ndërsa në samitin e NATO-s në korrik të këtij viti, më në fund do të konfirmohet ftesa nga Bukureshti prej vitit 2008 që vendi të bëhet anëtar i Aleancës”, theksoi Xhaferi.

President i Bullgarisë Radev nënvizoi se me rëndësi thelbësore është bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe konsensusi rreth çështjeve strategjike për shtetin, siç është anëtarësimi në NATO dhe në BE, duke e sugjeruar shembullin e Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, i cili dha mbështetje të plotë për Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë.

Në takim, të pranishëm nga ana bullgare ishin  Kristijan Vigenin, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane dhe Kontrollin e Fondeve Evropiane, Boris Borisov, kryetar i Grupit për miqësi Bullgari – Maqedoni, si edhe deputetët e Grupit parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Bullgarisë, Frosina Tashevska – Remenski, Ilija Nikollovski dhe Rexhail Ismaili, anëtarë të Grupit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button