Nato dhe partnerët evropianë në Konferencën e Mynihut

Kreu i NATO-s tha se aleanca është e vendosur të shmangë një garë të re armatimi me Rusinë, por paralajmëroi se Moska po zhvillon armë të reja bërthamore që paraqesin kërcënim për Perëndimin.

“Rusia po modernizon aftësitë e saj bërthamore, po zhvillon sisteme të reja bërthamore dhe po shton rolin e armëve bërthamore në strategjinë e saj ushtarake. Ky është shkak për shqetësim të madh”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg të premten në Konferencën tre-ditore të Sigurisë në Mynih.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë nga e gjithë bota u mblodhën në qytetin jugor gjerman për të diskutuar çështjet e mbrojtjes, mes shqetësimeve në rritje mbi të ardhmen e rendit aktual global.

Stoltenberg tha se NATO është e vendosur të shmangë një Luftë të Ftohtë të re. Ai përshëndeti planet e Bashkimit Evropian për të bashkëpunuar më ngushtë në mbrojtje, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në dhjetor të njohur si ‘PESCO’ ose Bashkëpunim i Përhershëm Strukturor.

“Ato janë një mundësi për të forcuar më tej themelet evropiane brenda NATO-s dhe për të kontribuar në ndarjen më të mirë të barrës financiare. Por me mundësitë vjen edhe rreziku. Rreziku i dobësimit të lidhjes transatlantike, rreziku i dublikimit të asaj që NATO tashmë po bën “, tha zoti Stoltenberg të premten, transmeton VOA.

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur këto shqetësime javët e fundit. Megjithatë, Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Von Der Leyen, tha në konferencë se një shqetësim i tillë ishte i gabuar.

“Ne duam të qëndrojmë në aleancën transatlantike, por gjithashtu të bëhemi më evropianë. Fillimi është bërë. Dhjetorin e kaluar ne më në fund filluam planet për një Bashkim Evropian të Mbrojtjes. Në njëfarë mënyre ne filluam rrugën politike drejt hartimit të një ushtrie evropiane “.

Uashingtoni vazhdimisht u ka bërë thirrje aleatëve evropianë të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis ishte i pranishëm të premten në Mynih, por nuk do të mbajë fjalim në konferencën tre ditore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button