Masakra në Florida, i riu pranon vrasjen e 17 personave në gjimnaz

19-vjeçari Nikolas Kruz ka pranuar vrasjen e 17 personave në një shkollë të mesme në Florida. I riu është paraqitur në gjykatë, ku ka rrëfyer autorësinë e masakrës që tronditi të mërkurën Shtetet e Bashkuara dhe që rihapi debatin për përdorimin e armëve.

Adoleshenti i akuzuar për vrasjen e 17 personave në një gjimnaz në Florida të mërkurën, ka pranuar autorësinë e sulmit. Policia amerikane bëri me dije se 19-vjeçari Nikolas Cruz ka rrëfyer se ai ka hyrë në kampusin e shkollës, duke hapur zjarr ndaj nxënësve, përpara se të braktiste armën dhe të përpiqej të arratisej. Ai pranoi se mbante me vete armatime shtesë, përveç pushkës me të cilën kreu krimin. I riu është paraqitur në gjykatë me 17 akuza për vrasje me paramendim, teksa sulmi është konsideruar si masakra më e rëndë në shkollat amerikane që prej vitit 2012, transmeton Oranews.

19-vjeçari Nikolas Cruz ishte përjashtuar nga gjimnazi Marjory Stoneman Douglas dhe bashkëmoshatarët e përshkruajnë si një person “të çuditshëm” me një pëlqim për armët. Ky interes i të riut reflektohej edhe në profilet e tij në mediat sociale, që sipas autoriteteve kishin përmbajtje shqetësuese. Prej kohësh, jo vetëm mësuesit e Cruz, por edhe Byroja Federale e Hetimit ishin në dijeni të rrezikut që kanoste adoleshenti.

Sulmi në fjalë ka rindezur sërish debatin për përdorimin e armëve në Shtetet e Bashkuara. Shumë politikanë demokratë, të shqetësuar nga nivelet e larta të dhunës së armatosur në vend, kanë propozuar forcimin e rregullave dhe ligjeve që kontrollojnë armët e zjarrit. Por republikanët nuk kanë pranuar të hyjnë këtë debat. Madje presidenti Donald Trump, në një fjalim drejtuar popullit pas kësaj ngjarjeje, nuk përmendi asnjëherë fjalën “armë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button