Tiranë, konferencë për institucionin e vakëfit në hapësirën ballkanike

 Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Institucioni i Vakëfit në hapësirën ballkanike”, ka mbledhur në Tiranë studiues nga Turqia, dhe disa vende të Ballkanit të cilët për dy ditë me radhë do të referojnë temat e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, drejtues të Fondacionit Alsar, drejtues të institucioneve turke në Shqipëri, zyrtarë të institucioneve të Shqipërisë, studentë dhe shumë të ftuar.

Ambasadori Yörük, duke e vlerësuar si të rëndësishme këtë konferencë, theksoi se vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Ballkan. “Të gjithë jemi dakord që në thelbin e konceptit vakëf ndodhet mirësia dhe dhembshuria, bërja mirë për të tjerët. Historiku i konceptit të vakëfit është një histori e gjatë e mbështetur në shekujt e kaluar. Duhet theksuar se institucioni i vakëfit arriti nivelin e tij më të lartë në traditën e shteteve turko-islame. Vakëfet kanë luajtur një rol të rëndësishëm edhe në Ballkan dhe ende vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm si elementë të paqes dhe qetësisë sociale. Ne si Turqi jemi të vendosur gjithnjë e më tepër të shtojmë veprimtaritë tona për të mirën e Shqipërisë, për këtë vend mik dhe vëlla”, tha ambasadori turk në Tiranë.

“Fatkeqësisht ditët e fundit disa grupe të caktuara, që janë zgjatime të organizatës terroriste FETO në Shqipëri po përpiqen që disa veprimtari dhe punë që kemi bërë ne ti devijojnë për qëllimet e tyre, sikur i kanë realizuar ata vetë. Ne i ndjekim duke qeshur këto përpjekje të tyre për të dezinformuar opinion publik dhe për ta orientuar në rrugë të gabuar. Republika e Turqisë nëpërmjet TIKA-s dhe Drejtorisë së Përgjithshëm të Vakëfeve ka realizuar shumë projekte në bashkëpunim me institucionet shqiptare. Vetëm gjatë këtij vitit nga TIKA pritet restaurimi i 5 xhamive dhe teqeve që janë vepra të përbashkëta historike të dy vendeve tona me një vlerë 5 milionë euro. Ndërsa Xhamia e Plumbit në Shkodër e cila u prezentua nga Drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, restaurimi ka një vlerë prej 4 milionë eurove. Prandaj i bëj thirrje grupeve të caktuara të lidhura me FETÖ-n, të cilët këto përpjekjet tona janë duke u munduar t’i devijojnë dhe t’i tregojnë sikur i kanë realizuar ata vetë, gjeni 10 milionë euro dhe bëjeni vet.” u shpreh më tej Yörük.

Drejtori i Përgjithshëm i Vakëfeve të Turqisë, Dr. Adnan Ertem, theksoi se vakëfet janë institucione të njerëzimit. “Nëse jemi duke folur për vakëfet edhe shtetet e tjera sipas legjislacionit ndërkombëtar duhet të kthejnë këto prona. Këta janë vlera të njerëzimit. Studiuesit që janë këtu në këtë konferencë janë mbështetjeje për institucionet e vakëfit”, tha Ertem.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, tha gjatë fjalës në hapje të konferencës se në qytetërimin Islam, institucioni i vakëfit, është udhëhequr dhe udhëhiqet nga parimet Kur’anore dhe Profetike.

“Historia e Institucionit te Vakëfit në Shqipëri mund të ndahet në dy periudha: Vakëfet gjatë Periudhës Osmane, numri i të cilave nuk ka qenë i pakët dhe vakëfet pas shpalljes së pavarësisë. Mendoj se me të vërtetë, gjendja aktuale e vakëfeve në Ballkan, ka mbetur në mëshirë të fatit. Me organizimin e kësaj konference mendojmë që për rastin e Shqipërisë të vëmë në lëvizje sadopak, organet qeveritare që të përmbushin detyrën e tyre kushtetuese për kthimin fizik ku është e mundur ose kompensimin e kësaj trashëgimie që i është dedikuar adhurimit për Krijuesin dhe ndihmës për njerëzit në nevojë”, u shpreh Gurra.

Fjalë përshëndetëse në hapje të konferencës mbajtën edhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, si dhe rektori i Universitetit Selçuk, Mustafa Şahin.

Konferenca organizohet nga Fondacioni Alsar në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Universitetin Selçuk të Konya me mbështetjen e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ndërsa referuesit janë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia dhe Bosnje dhe Hercegovina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button