Kina feston me entuziazëm Vitin e Ri Kinez, Viti i Qenit (VIDEO)

Kina feston me entuziazëm Vitin e Ri Kinez i cili këtë vit festohet si Viti i Qenit dhe Festën e Pranverës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas kalendarit hënor kinez të përbërë nga 12 kafshë, sonte vendi do të hyjë në Vitin e Qenit duke e lënë pas vitin e Gjelit. Viti i Ri kinez i cili cilësohet edhe si Festa e Pranverës, festohet si një nga festat më të rëndësishme tradicionale në të cilën njerëzit mblidhen bashkë me familjarët dhe miqtë.

Qytetarët, për Vitin e Qenit, i cili sipas shenjave astrologjike kineze, përfaqëson urtësinë, miqësinë dhe durimin, dëshirojnë të sjellë paqe dhe begati. Ata me darkat në shtëpitë e tyre, vizitat te familjarët dhe dhënien e dhuratave njëri-tjetrit, e ndajnë bashkë harenë dhe gëzimin e festës.

Për popullatën angazhimi me punë i të cilit shkon duke u shtuar, Viti i Ri Kinez paraqet një mundësi për të kaluar kohë me familjet dhe miqtë në qetësi.

Kina, me një popullsi prej 1.42 miliardë banorë është vendi me popullsinë më të madhe në botë. Afro 300 milionë prej tyre punojnë në qytete të mëdha, jashtë shteteve ku janë të regjistruar.

– Në metropolet gjigande ka rënë qetësia

Kur këta persona, për të festuar Vitin e Ri Kinez largohen nga metropolet gjigande si Pekini, Shangaji dhe Guangzhou, qytetet e mëdha ngjasojnë në qytete fantazma.

Pushimi zyrtar kombëtar nisë nga dita e nesërme dhe zgjatë 7 ditë. Të gjithë shkojnë në vendlindje për të kaluar kohën me familjet e tyre andaj edhe vendin e kaplon një qetësi e përgjithshme.

Gjatë Festës së Pranverës një qetësi e madhe përfshin edhe dy qytetet më të mëdha të vendit, të cilat bëjnë pjesë në metropolet më dinamike dhe të mbipopulluara të botës.

Në festën tradicionale të Vitit të Ri Kinez ndizen fishekzjarre nën pretendimin se në këtë mënyrë “dëbohen shpirtrat e këqinj”.

Megjithatë, kjo traditë është ndaluar në qytetet e mëdha për shkak të ndotjes së ajrit, zjarrit dhe shqetësimeve për sigurinë.

– Pushimi për Festën e Pranverës zgjat 7 ditë

Në pushimin zyrtar për Festën e Pranverës, në parqet dhe resortet e Pekinit organizohen argëtime dhe ahengje të llojeve të ndryshme.

Me stolisjet e bëra në njërin nga parqet më të mëdha të qytetit, parkun Ditan, vizitorëve u ofrohet një zgjedhje për të kaluar festën. Qytetarëve u ofrohet mundësia që të shijojnë ushqimet dhe shfaqjet në skenë.

Atmosfera e Vitit të Ri Kinez, pos në qytetet e mëdha, ndjehet jashtëzakonisht shumë edhe në rajonet rurale.

Sipas kalendarit kinez i përbërë nga 12 kafshë, çdo vit emërtohet me emrin e kafshës në radhë. Kalendari kinez, i cili përcaktohet nga hëna, festohet në ditë të ndryshme çdo vit. Viti i Qenit do të ndiqet nga Viti i Derrit.

Ndryshe, Festa e Pranverës festohet edhe në vendet aziatike si Singapori, Malajzia, Indonezia, Tajlanda dhe Japonia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button