Adriatik Llallës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në SHBA për shkak përfshirjes në korrupsion

Departameni i Shtetit i ndaloi të mërkurën hyrjen në SHBA ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij duke e akuzuar për korrupsion, transmeton Kallxo.com.

Në njoftimin e bërë publik nga sekretari i shtetit Rex Tillerson, nënvizohet se ky vendim merret për shkak të përfshirjes së Z. Llalla në mënyrë ‘domethënëse’ në korrupsion ose shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut.

Ligji amerikan parashikon që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose t’i bëjë publike, siç ishte rasti kundër z. Llalla.

Përveç Llallës, vendimi sanksionon hyrjen në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.

Adriatik Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm nga viti 2012 deri në dhjetor 2017, kur ai u zëvendësua nga Arta Marku.

Gjatë periudhës që drejtoi organin e akuzës, Llalla është akuzuar se nuk ka vepruar kundër korrupsionit dhe është përplasur publikisht me ambasadorin e SHBA-së në Tiranë për shkak të pozicioneve mbi reformën në drejtësi.

Duke folur në një konferencë të shoqërisë civile në shkurt 2017, ambasadori amerikan Donald Lu, e akuzoi publikisht Llallën se po pengonte reformën.

“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”, deklaroi Lu.

“Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë do mbështesin përpjekjet e tyre”, shtoi ambasadori.

Pas akuzave të drejtpërdrejta të ambasadorit të SHBA-së, Prokuroria e Përgjithshme u përgjigj me një deklaratë për shtyp ku e akuzonte përfaqësuesin amerikan në Tiranë se po ushtronte shantazh me pikëpamje ‘sorosiane.’

“Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambientet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë,” shkruhej në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

“Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet,” shtohet aty.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button