Përgjegjësi për krimin, ngecjen dhe kiçin

Mjafton të bjerë një shi i fuqishëm dhe Arkivi i Maqedonisë të përmbytet në ujërat e Vardarit, të cilat poashtu sa nuk i marin me vehte gjemitë mbi lum, ku turistët hanë e pinë në restoranet kiç dhe na tallin nëpër botë për atë se çfarë çmendurie kemi duruar me vite mbi kokë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme tavani pikon, ndërsa fontana pranë Aleksandrit që zyrtarisht quhet “Ushtari mbi kalë” verën e kaluar u shemb ne një nivel më poshtë. Shkupit iu ndryshua pamja në një proces tërësisht jo-transparent, kriminal dhe të njëanshëm. Dhe tani duhet që ta spostojmë atë ushtarin e panjohur mbi kal që të gjithë e dimë se është Leka, sepse Greqia duhet të pajtohet të na lërë të hymë në NATO e në BE. Tani duhet të bëjmë prapakthehu historike dhe të bëhemi pishman nga gjithë ai proces idiotesk i antikuizimit. Ta ndryshojmë sërish të kaluarën që të kemi një farë shansi për të shkuar përpara në të ardhmen.

Por gjatë këtij procesi është shumë me rendësi që përgjegjësia të mbahet nga ata që na sollën në këtë derexhe të turpshme që tani duhet të gjejmë mënyra si ta tejkalojmë. Përgjegjësia duhet mbajtur në tri nivele.

Së pari, projekti Shkupi 2014 është proces i cili është shqyrtuar në Prokurorinë Speciale. Ende nuk ka një rezultat të mirëfilltë në këtë drejtim. Storjet e gazetarisë hulumtuese na ndriçuan disa fakte rreth këtij projekti, sa kanë kushtuar ndërtesat, me çfarë standardesh janë bërë, sa ka kushtuar Leka i Madh ose luanët rreth tij, sa ka kushtuar secila skulpturë e vendosur në atë hapësirë të vogël dhe cila ka qene procedura e vendosjes së tyre, ku të gjitha ingerencat e qytetit të Shkupti janë theksuar ndërsa janë injoruar ingerencat e komunës Qendër. Pra ky është një projekt që jep indicje të qarta për kriminalitet dhe që duhet trajtuar seriozisht nga prokuroritë kompetente. Para të mëdha janë harxhuar nga buxheti, në kohën kur shteti përballet me varfëri të madhe dhe me mungesë infrastrukture për shkolla, spitale dhe shumë gjëra tjera. Ashtu si e dëgjuam të thoshte ish ministrin e finacave Stavrevski: “Ne jemi të çmendur, ne nuk kemi për bukë e harxhojmë për çokollata!”, ashtu duhet mbajtur edhe përgjegjpsia. Për një sjellje të tillë plangprishëse mbretër si Luigji i 16 dhe mbretëresha e tij Antoaneta kanë marë dënime të rënda, ndërsa neve gjithçka që shohim është që ish-kryeministri sorollatet andej këndej nëpër gjyq çdo ditë, pa pasur një epilog të vërtetë për asnjërin nga rastet ku ai është i akuzuar. Nuk mjafton vetëm paraqitja në gjyq, nevojitet bartje e vërtetë e përgjegjësisë penale.

Së dyti, përgjegjësi duhet mbajtur për ngecjen në procesin e euro-integrimeve që na shkaktoi kjo sjellje dhe kjo qasje ndaj historisë. Përgjegjësi serioze politike duhet mbajtur për këtë proces. Për dhjetë vite me radhë, këtij vendi iu ndryshua historia, pa debat publik, pa një arsyetim të mirëfilltë shkencor, tërësisht në mënyrë të njëanshme dhe të izoluar. Unë nuk mbaj mend të ketë pasur të paktën një debat publik lidhur me atë se cila është lidhshmëria me identitetin antik të popullatës maqedonase në këtë vend. Kjo lidhshmëri me antikën iu imponua atyre nga një qark i mbyllur dhe me dhunë, pa i pyetur, pa debatuar pa diskutuar dhe pa asnjë argument shkencor. U imponua në mënyrë të dhunshme një formë e paraqitjes së identitetit që solli deri te një vështirësim i panevojshëm në procesin e zgjidhjes së kontekstit për emrin. Tani kjo zgjidhje është shumë më e veshtirë se në vitet 90, kur biseda rrethi identitetit të popullit maqedonas nuk ishte pjesë e negociatave. Tani Greqia insiston që të bëhet dallim dhe të qartësohen edhe këto punë sepse vetë Maqedonia hyri në ujëra prej të cilave dalja si që e shohim është tepër e vështirë. Përgjegjësi duhet mbajtur për këtë, nga të gjithë ata që na sollën në këtë situatë ku gjetja e zgjidhjes është kaq e vështirë.

Së treti, përgjegjësi morale duhet mbajtur për kiçin që na është imponuar me këtë proces. Përgjegjësi për atë që bota na tallën duke e quajtur Shkupin kryeqytetin e kiçit në botë. I gjithë ai proces është një tallje në fytyrën e artit, një poshtërim i inteligjencës së popullit dhe një rrugë pa dalje ku kemi ngecur të ngujuar në një histori të imponuar dhe të paargumentuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button