“Është i paqëndrueshëm mendërisht, nuk mund të heshtim më!” Psikiatër dhe psikologë, letër të hapur për Presidentin

Psikiatër, psikologë dhe punonjës socialë kanë firmosur një letër të hapur ku paralajmërojnë për gjendjen mendore të Donald Trump, që sipas tyre “e bën atë të paaftë që të shërbejë si president”. 35 profesionistët e shëndetit mendor thanë se “fjalët dhe sjellja e Trumpit sugjerojnë një paaftësi të thellë për empati”, njofton Bota.al.

Tendenca e presidentit për të “shtrembëruar realitetin” me qëllim që të ndërfusë në të “mitin e tij personal të madhështisë” dhe sulmuar ata që e sfidojnë me fakte, do të rritej një herë që do të vinte në pushtet, shtojnë ata.

Zakonisht psikiatrit ngrysin vetullat kur u kërkohet të japin mendim profesional mbi gjendjen mendore të një figure publike që nuk e kanë ekzaminuar personalisht, siç e dikton edhe Kodi i Shoqatës Amerikane të Psikiatërve.

Por në një letër për Nju Jork Tajms, doktorët shkruajnë se kanë vendosur se është e domosdoshme të thyejnë heshtjen për këtë çështje, sepse druhen që “ka shumë gjëra të rëndësishme në lojë”.

“Kjo heshtje ka sjellë një dështim në dhënien e ekspertizës sonë për gazetarët e shqetësuar dhe anëtarët e Kongresit, në këto momente kritike”, shkruajnë ata. “Ne kemi frikë se bëjmë shumë dëm po të vazhdojmë të heshtim”.

Letra vazhdon: “E folura dhe veprimet e Trumpit demonstrojnë një paaftësi për të toleruar pikëpamje të ndryshme nga të tijat, gjë që sjell reagime zemërimi. Fjalët dhe sjellja e tij sugjerojnë një paaftësi të thellë për të shfaqur empati. Individë me këto tipare shtrembërojnë realitetin për t’ia përshtatur gjendjes së tyre psikologjike, duke atakuar faktet dhe ata që i përcjellin ato (gazetarë, shkencëtarë). Tek një udhëheqës me pushtet, këto sulme rriten, pasi miti i tij personal i madhështisë duket se konfirmohet. Ne besojmë se paqëndrueshmëria e madhe emocionale që shfaq e folura dhe veprimet e Trumpit, e bëjnë atë të paaftë për të shërbyer si president”. / Bota.al

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button