Johnson: Një referendum i dytë do të ishte “gabim katastrofal

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, ka deklaruar se rezultati i referendumit të Brexit-it nuk mund të kthehet mbrapsht dhe se Britania e Madhe nuk duhet të kufizohet nga rregullat e Bashkimit Evropian (BE) pas Brexit-it, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Londër, Johnson i inkurajoi njerëzit që votuan për Brexit-in në referendumin e vitit 2016 dhe tha se ata nuk duhet të “mërziten” për largimin e Britanisë së Madhe nga blloku.

Johnson theksoi se mbajtja e një referendumi të dytë mbi anëtarësimin e Britanisë së Madhe në BE do të ishte një “gabim katastrofal”.

“Kam frikë se disa njerëz po bëhen gjithnjë e më të vendosur për të ndaluar Brexit-in, për të anuluar votën e referendumit më 23 qershor të vitit 2016 dhe për të penguar vullnetin e popullit. Unë besoj se do të ishte një gabim katastrofal që do të çonte në ndjenja të përhershme dhe të pashmangshme të tradhtisë. Nuk mund dhe nuk do të lejojmë që të ndodhë”, deklaroi Johnson.

Duke e përshkruar idenë e qëndrimit të Britanisë së Madhe nën rregullat e BE-së si të “patolerueshme” dhe “jodemokratike”, Johnson tha se gjithçka do të mbetet “ashtu siç është” deri në fund të periudhës së tranzicionit, e cila do të skadojë në fund të vitit 2020.

Fjalimi i sekretarit të Jashtëm britanik vjen pak ditë pasi u shfaq një komplot për të anuluar Brexit-in.

Mediat lokale javën e kaluar pretenduan se miliarderi i SHBA-ve, George Soros, qëndron pas një komploti të fshehtë për ta kthyer Brexit-in dhe për të mbajtur Britaninë e Madhe si anëtare të BE-së.

Komploti i Soros-it 

Sipas një artikulli të publikuar në “The Telegraph”, Soros është “një nga tre figurat e larta të lidhura me grupin e fushatës mbështetëse për të qëndruar “Best of Britain”, e cila aktualisht po planifikon që këtë muaj të fillojë një fushatë reklamimi me shpresën e një referendumi të dytë, potencialisht për ta mbajtur vendin në BE.

Sipas një dokumenti strategjik të rrjedhur nga një takim i grupit, ‘Best of Britain’ “gjithashtu planifikon t’i bind deputetët që të votojnë kundër marrëveshjes përfundimtare të Brexit-it për të shkaktuar një referendum tjetër ose zgjedhje të përgjithshme”.

Sipas artikullit të publikuar në të përditshmen britanike, fushata e vendosur që do të fillojë deri në fund të shkurtit, duhet të “zgjojë vendin dhe të afirmojë se Brexit nuk është një marrëveshje e kryer dhe nuk është tepër vonë për ta ndaluar”.

Në artikull theksohet se grupi i fushatës do të ushtrojë presion ndaj deputetëve nga 100 zonat zgjedhore që mbështetën votën e mbetur në referendumin e vitit 2016.

11 deputetë konservatorë pro-evropianë vitin e kaluar vepruan me Partinë Laburiste të opozitës në një votim kyç në lidhje me të drejtat e qytetarëve të BE-së.

Kryeministrja britanike Theresa May pritet të japë një fjalim mbi marrëdhëniet e ardhshme të Britanisë së Madhe me BE-në, të shtunën e ardhshme në qytetin gjerman të Mynihut.

Britania e Madhe do të largohet nga BE-ja pas një referendumi të vitit 2016, ku 52 për qind e votuesve britanikë zgjodhën të largohen nga blloku pas 44 vitesh të anëtarësimit.

Data e caktuar për daljen është 29 mars 2019, por një periudhë tranzicioni për të cilën BE-ja thotë se do të përfundojë në dhjetor të vitit 2020, ende duhet të dakordohet nga palët. BE-ja poashtu tha se shpresonte se një marrëveshje do të arrihej gjatë një samiti të BE-së që do të mbahet në mars.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP