Valon Izairi zgjidhet kryetar i RDSH-së

Rinia Demokratike Shqiptare me moton Liri.Rini për Ardhmëri mbajti Konferencën e 9-të të saj në Sallën e shkollës së mesme medicinale në Tetovë. Në Konferencë ishin të pranishëm tërë kierarkia më e lartë partiake, Kryetari i Partisë z.Menduh Thaçi, Kryetari i Kuvendit qendror z.Arbër Xhaferi, të gjithë sekretarët partiak, grupi parlamentar, Kryetari i Komunës së Tetovës z.Sadi Bexheti dhe mysafirë të tjerë.

Për Kryetar të ri të RDSH-së u zgjodh, Valon Izairi nga Dega e Gostivarit.

 “RDSH-ja është zemra dhe shpirti i PDSH-së. Po Kryetar, rinisë i mungon liria, përballet me shumë vështirësi të natyrave të ndryshme, por më e dhimbshmja është që na cënohet e ardhmja jonë dhe e gjeneratave të reja, prandaj jemi mbledhur këtu që të tregojmë gatishmëri për të ngritur zërin dhe të kundërshtojmë të gjithë padrejtësitë të cilat na cenojnë edhe dinjitetin tonë si qenie njerëzore, vlerat më vitale të individit dhe shoqërisë, lirinë e veprimit dhe të fjalës, mosrespektimin dhe përbuzjen e të drejtave të cilat sot kanë çuar drejt akteve barbare, të cilat kanë ofenduar ndërgjegjen tonë si popull, prandaj ne thërrasim fuqishëm që edhe të rinjtë të tjerë që sot nuk janë këtu, të na bashkohen në përcaktimet tona për të ndërtuar një të ardhme ndryshe dhe më të sigurt” tha Izairi.

Punimet e Konferencës së RDSH-së i përshëndeti edhe Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare z.Menduh Thaçi, i cili përcolli edhe mesazhin e tij drejtuar rinisë shqiptare:

“Gjenerata e zotit Xhaferi gjithmonë shqiptarët i ka drejtuar nga rruga e vërtetë, nga rruga drejt perëndimit, Amerikës dhe NATO-s. Këta matrapaz të cilët bëjnë konstruksione politike se ne qenkemi islamist radikal janë vetëm shakaxhinj, të gjithë të tjerët që janë të pakënaqur edhe ata që duan nesër të bëjnë protesta të ju çojmë një lutje të përbashkët, vëllezër mos e gaboni rrugë, mos e lidhni xhumanë me protesta kombëtare, mos e bëni lidhjen që i konvenon Serbisë dhe maqedonasve, ne nuk kemi probleme fetare, ne kemi probleme kombëtare, neve na shkelen të drejtat “ ka thënë mbrëmë lideri i PDSH-së, Menduh Thaci.

Sipas tij, ata të cilët vendosin etiketa duan tu  bëjnë dëm të dyfishtë myslimanëve.

“Së pari të na frikësojmë që jemi mysliman, dhe e dyta të na etiketojnë para perëndimorëve se ne jemi në anë të gabuar, s’është e vërtetë, asnjëherë s’kemi qenë në anën e gabuar, ne jemi me Shqipërinë, Kosovën, Amerikën, Nato-n. Ali Ahmetit i kanë ngel edhe 11 ditë që të përgjigjet në pyetjen tonë: A është ai dhe BDI-ja me ne, me shqiptarët, me Shqipërinë, me Kosovën, me Amerikën, me Nato-n apo është me Gruevskin. Unë jam i vetëdijshëm se një pjesë e madhe e popullit shqiptar është në gjendje shumë të rëndë, në gjendje katastrofale, është në gjendje të nënçmuar, të rrahur dhe të malltretuar, sidomos huxhumi i hordhive policore maqedonase është drejt Shkupit dhe Kumanovës, duhet të gjithë ne të tjerët Tetovë, Gostivar, Strugë e Dibër mos ta kursejmë ndihmën tonë për shqiptarët në Shkup e Kumanovë” tha Menduh Thaci. 

Lajme të ngjashme

Back to top button