BPRM: Ekonomia po rikuperohet, bartës industria dhe tregtia

Ekonomia e Maqedonisë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka vazhduar të rikuperohet me rritëm më të mirë në krahasim me tremujorin e tretë, vlerëson Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë.

Konstatim të tillë, siç kumtoi BPRM-ja, tregojnë të dhënat për realizimet më të reja në industri dhe tregti, ndërkaq aktiviteti ndërtimor vazhdoi të ulet. Hulumtimet prej anketave tregojnë për mbajtjen e mëtejme të besimit të subjekteve ekonomike, transmeton MIA. 

Në seancën e djeshme të Komisionit për Politikë Monetare Operative u vlerësua se politika monetare është e përshtatshme dhe është vendosur që ankandi i bonove të thesarit të bëhet nën kushte të pandryshuara, gjegjësisht të ofrohen bono thesari në vlerë prej 25.000 milion denarë dhe normë interesi prej 3,25 për qind.

Duke i shqyrtuar arritjet më të reja në ekonominë vendore në kontekst të projeksioneve makroekonomike nga tetori i vitit të kaluar, Komiteti ka konkluduar se bazat ekonomike janë të shëndosha, pa prezencë të çekuilibrimeve në ekonomi. Është konstatuar edhe stabilizim i mëtejshëm i besimit dhe pritshmërive të subjekteve ekonomike, të dukshme përmes lëvizjeve të volitshme në tregun valutor dhe dinamikën solide të rritjes së depozitave.

Rreziqet lidhur me projeksionin e inflacionit për këtë vit prej dy për qind janë vlerësuar si të paekuilibruara.

Sipas BPRM, të dhënat për rezervat valutore muajin e kaluar tregojnë rritje, që në pjesën më të madhe i referohet transaksioneve në llogari të shtetit si rezultat i lëshimit të eurobondit të gjashtë në tregjet financiare ndërkombëtare. Këto lëvizje te rezervave valutore kryesisht janë brenda pritshmërive, kështu që treguesit e përshtatshmërisë së rezervave valutore edhe më tej lëvizin në zonë të sigurt. Në mungesë të të dhënave më të reja mbi bilancin e pagesave për vitin 2017, edhe më tej mbetet konstatimi për mundësinë për realizimin e deficitit më të vogël në llogarinë rrjedhëse dhe neto derdhje diku më të ulëta në llogarinë financiare se sa pritej”, kumton BPRM dhe tregon se në fund të vitit të kaluar në tregun kreditor është shënuar edhe përshpejtim i caktuar në kreditimin e sektorit korporativ.

Në tregun valutor, lëvizjet e volitshme nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar, të cilat u karakterizuan me rritje të ofertës nga këmbimoret, kanë vazhduar edhe në fillim të janarit të këtij viti, duke kontribuar që bankat të blejnë valutë në transaksione me të gjithë klientët në baza neto, për ç’arsye një pjesë të likuiditetit të lartë e kanë orientuar drejt Bankës Popullore, e cila ka blerë pesë milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP