Tetovë, u përkujtua patrioti dhe organizatori i demonstratave të vitit 1968, Faik Mustafa

Iniciativa qytetare për shënimin e 50 vjetorit të demonstratave të vitit 1968 sot në Tetovë kanë përkujtuar njëvjetorin e vdekjes të njërit nga organizatorët e këtyre demonstratave, Faik Mustafain. Në homazhet e bëra te vari i tij, fjalë përshëndetëse kanë pasur miq dhe bashkëveprimtarë të Faikut duke e konsideruar atë si një ndër personat që ka luftuar për të drejtat e shqiptarëve që në kohën e ish sistemit komunist, njofton Portalb.mk.

“Nuk mund ta harroj Faikun, shokun tim të gjeneratës që e impresiononte profesor Murat Isakun me shkrimet e tij që i bënte si nxënës në të cilat në mënyrë të qartë e paraqite statusin e mjerueshëm të shqiptarëve si popull autokton. Fjalimet e tij lexoheshin para të gjithë gjeneratës. Nuk mund ta harroj Faikun studentin e Beogradit që ishte një ndër organizatorët kryesor të demonstratave të 68 në Tetovë, trimëria dhe guximi i tij ishte dhe nxitës për të tjerët, atë nuk e gjunjëzoi as policia as gjykata me dënimin e tij dhe as jeta pas burgut që bëri“ u shpreh Hisenxhevat Kalishta, gjithashtu organizues i protestës dhe mik i Faikut.

“Faik Mustafa mbetet një ndër flamurtarët e zgjimit tonë kombëtarë, ai mbahet mend si organizator i protestës, ai mbetet emblemë e devotshmërisë së çështjes kombëtare. Ne sot përkulemi për veprën e tij që mëshirohet me qëndresën dhe zgjimit kombëtar të shqiptarëve” u shpreh Hamdi Mejdiu nga Komuna e Tetovës.

“Këtë përvjetorë do e shënojmë pa praninë tënde, pa ndonjë fjalim tëndin ku do të flisje në emër të organizatorit të një demonstrate që është një ndër më të mëdhatë për barazi e drejtësi të kësaj pjesë të popullit shqiptar ” u shpreh profesori universitar Vebi Bexheti dhe mik i Faik Mustafës, njofton Portalb.mk.

Mustafa dhe organizatorët e tjerë u dënuan për organizimin e demonstratave në Tetovë.

 
Mehmetriza Myrtezani – Gega dhe Faik Mustafa

Demonstratat e vitit 1968 filluan në tetor, por vazhduan edhe në nëntor, për të përfunduar në dhjetorin e vonë të vitit 1968, duke përfshirë gati të gjitha trojet ku jetonin shqiptarët në ish-Jugosllavi. Edhe shqiptarët që kishin përjetuar fatin e keq të ndarjes dhe kishin ngelur nën okupimin maqedonas ishin të pakënaqur me padrejtësitë e shumta që u bëheshin. Ata nuk gëzonin të drejtat elementare dhe vazhdimisht jetonin nën presionin e dhunës e të terrorit. Në Maqedoni, edhe para, por edhe pas Plenumit të Brioneve, mjaftonte vetëm një shkëndijë e vogël që të eskalonte situata. Pas ngjarjeve të mëdha që ndodhën në Kosovë, në qytetin e Tetovës, shumë intelektualë, studentë e nxënës morën përsipër të organizojnë demonstrata në përkrahje të kërkesave të kosovarëve.


Demonstratat në Prishtinë

Në ballë të tyre dolën patriotët: Mehmet Gega nga Tetova, që, sipas Sheradin Berishës thuhej se, ai edhe në vitin 1955 ishte dënuar me 10 vjet burg, për shkak se kishte qenë kundër shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi; mësuesi Sejdi Kryeziu nga fshati Rogaqicë i Kamenicës, Hysniqemal Sherifi, që më 1963 kishte qenë udhëheqës i grupit patriotik e revolucionar “Flamuri”; studentët Faik Mustafa, nga fshati Shipkovicë, Ramadan Sinani nga fshati Gajre, Hysenxhevat Kalishta, Abdylmenaf Rustemi, Arbër Xhaferi, Fehmi Rufati etj. Pas përfundimit të demonstratave në Tetovë, organet e ndjekjes menjëherë filluan në mënyrë të organizuar të arrestonin organizatorët dhe pjesëmarrësit e demonstratave.

LEXO MË SHUMË: ROLI HISTORIK I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE TË VITIT 1968 

Mehmetriza Gega, prijësi sypatrembur i demonstratave të Tetovës (1968)

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button