Dy dekada funksionim, Qendra Teatrore e Fëmijëve ende nuk është institucion i denjë kulturor!

Gjithçka nisi me luftën e Kosovës, të vitit 1998/99 që bëri që zonat kufitare të Maqedonisë të mbushen me kampe të refugjatëve të cilat nuk kanë shërbyer vetëm për strehim të refugjatëve kosovarë, por edhe për nisjen e funksionimit të Qendrës Teatrore të Fëmijëve që tash për tash gjendet në zemrën e Çarshisë së Shkupit, që ndryshe vlerësohet si qendra e kulturës së Shkupit. Qendra Teatrore e Fëmijëve megjithëse e vetmja në nivel republikan, gjatë viteve të fundit u përballë me stagnim funskional duke numëruar vetëm një shfaqje në repertor gjatë një viti.

Duke filluar nga ky vit, në krah do të ketë edhe një institucion tjetër, Teatrin e Fëmijëve të Çairit. Bashkërisht, nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë kanë arritur të sigurojnë të holla për tre projekte në vlerë prej 600 mijë denarë.

Qendra Teatrore për Fëmijë do të udhëtojë edhe në qytete tjera: në Kumanovë, Gostivar e Kërçovë.

Megjithatë, ende mbetet peng institucionalizimi praktik i Teatrit të Fëmijëve dhe formimi i një trupe teatrore për fëmijë. Sipas asaj që u tha në intervistën që realizoi Portalb.mk, me drejtorin e Qendrës Teatrore për Fëmijë, Bajrush Mjaku kjo do të ndodh kur të kemi shkrirje mes Teatrit të Fëmijëve të Çairit dhe Qendrës Teatrore për Fëmijë.

Më poshtë ju sjellim intervistën e plotë e realizuar me drejtorin e Qendrës Teatrore të Fëmijëve, Bajrush Mjaku.

Portalb.mk: Si nisi me punë Qendra Teatrore e Fëmijëve?

Bajrush Mjaku: Kemi filluar me luftën e Kosovës, kur shumë fëmijë u gjenden në kampe të ndryshme në Maqedoni, me idenë e Dritëro Kasapit dhe Refet Abazit, u morëm vesh që të hapim Qendrën Teatrore, me ndihmë financiare të interkultit të Stokholmit. Arritëm të bëjmë shfaqjet e para dhe t’i shfaqim ato para fëmijëve në kampin e Stenkovecit dhe kampet tjera në rrethinën e Tetovës. Pas mbarimit të luftës së Kosovës erdhëm deri tek ideja që të aplikojmë në Qeverinë e Maqedonisë, për të kërkuar objekt hapësinor, për të vazhduar misionin tonë të formojmë Qendër Teatrore për Fëmijë dhe për t’i përmbushur sado pak kërkesat e nxënësve, fëmijëve tanë në Shkup, rrethinë dhe më gjerë.

Portalb.mk: Çfarë ndodhi pasi u mbyllën kampet e refugjatëve, si eci Qendra Teatrore?

Bajrush Mjaku: Me ndihmën e disa fondacioneve të huaja punuam brenda vitit deri në pesë shfaqje. Atëherë funksiononim si qendër multikulturore dhe multietnike pasi që në produksionin e teatrit prodhonim shfaqje në gjuhën shqipe, maqedonase, turke dhe rome. Kjo ndodhi deri në periudhën 2008-2009, deri sa kishim përkrahje financiare nga ambasada dhe fondacioni i huaj. Prej momentit kur ata ikën, ne u desh të funksionojmë vetë. Nga Qeveria na u dha objekti i ish “Kino napredokit” (Sallës së Kinemasë) por më vitin 2000 u paraqit nevoja për rindërtim të atij objekti, sepse nuk ishte e mundur që të funksionojmë si teatër, në ato kushte dhe atë objekt. Me fondacionet arritëm të sigurojmë mjete dhe përkrahje financiare dhe ta rimëkëmbim Qendrën, ta rrënojmë dhe ta ndërtojmë me objekt siç ka qenë më herët, me infrastrukturë të brendshme për një Qendër Teatrore për Fëmijë.

Portalb.mk: Dhjetëvjeçari i fundit i Qendrës Teatrore për Fëmijë ishte më i vështiri prej formimit të kësaj Qendre. Me çfarë probleme u përballët?

Bajrush Mjaku: Ndër problemet më të mëdha që i kemi pasur në dhjetë vitet e fundit ndërlidhen me mirëmbajtjen e objektit, që kap shumën deri 20 mijë euro në vit, përfshirë këtu: nxehjen qendrore, furnizimin me energji elektrike, mirëmbajtjes higjienike, ujit dhe kanalizimit. Ato mjete të cilat na mungonin isha i detyruar që të gjej mënyrë dhe institucion i cili do ta përkrah këtë ide, që të mbulohet kjo hapësirë.

Portalb.mk: Qendrës i kanë munguar edhe kushtet elementare, si do të vazhdohet më tej?

Bajrush Mjaku: Në do të vazhdojmë. Deri më tani, në pesë vitet e fundit kemi realizuar nga një shfaqje, aq kemi pasur mjete nga Ministria e Kulturës, që në numër i bie 500 mijë denarë, e që në realizim asnjëra nuk ka mbetur nën 700 mijë denarë. Erdhëm deri tek ideja që të bisedojmë me ish kryetarin e Çairit, Izet Mexhitin që të hapin një teatër nën kompetencë të Komunës së Çairit, i cili do të quhej Teatri i Fëmijëve i Çairit, ku në planin e mirëmbajtjes së objektit, 20 mijë eurot duhet t’i ndajë dhe mbulon Komuna e Çairit. Prej vitit të kaluar ne funksionojmë kështu. Pas formimit të Qeverisë së re, aktuale, unë mora iniciativë të ftoj Ministrin e Kulturës, Robert Allagjozovski, sekretarin shtetëror Valmir Azirin, ish kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhitin dhe tash kryetarin aktual, atëherë kandidat për kryetar, Visar Ganiun, që ta bisedojmë këtë çështje, të bëjmë një repertor të mirëfilltë të teatrit për fëmijë. Unë atëherë kërkova që në planin e mirëmbajtjes të na mbulojë Komuna e kurse për projekte të na mbulojë Ministria e Kulturës.

Portalb.mk: Si ju duken rezultatet e Ministrisë së Kulturës, a jeni i kënaqur?

Bajrush Mjaku: Pasi që dolën rezultatet, unë jam i kënaqur nga përkrahja e Ministrisë. Qendra Teatrore ka fituar një projekt, kurse Teatri i Fëmijëve i Çairit ka fituar dy projekte. Kjo do të thotë që gjatë këtij viti në do të realizojmë tre shfaqje në gjuhën shqipe. Me “Mullinjtë e erës” fillojmë me provat gjatë këtyre ditëve. Shfaqja është e autorit Jeton Neziraj në regji të Blerta Neziraj nga Prishtina. Me projektin që e pati Ministria e Kulturës, “Nov kulturen bran”, gjatë vitit 2017, kemi fituar në grand prej 200 mijë denarëve dhe në kuadër të atij projekti, kemi realizuar “Fabulat e Ezopit” e cila në Kërçovë pati tre shfaqje ku ishin 1,500 nxënës, në Gostivar dy prezantime dhe në Kumanovë tre shfaqje. Ne do të shkojmë te fëmijët, jo ata të vijnë te ne, pasi që ata janë në numër shumë më të madh se ne.

Portalb.mk: Sa është reale shuma prej 600 mijë denarë për një shfaqje?

Bajrush Mjaku: Është shumë qesharake. Sepse që t’i ngjajë një shfaqje, siç i ka hije, me të gjitha përmasat teatrore, e mirëfilltë dhe profesionale, ato janë para që të jepen sikur duan të të thonë urdhëro merri dhe mos realizo shfaqje hiq.

Portalb.mk: Kur pritet institucionalizimi i Qendrës Teatrore për Fëmijë?

Bajrush Mjaku: E mira e gjithë kësaj është se jemi në rrugë për ta realizuar idenë e kamotshme, institucionalizimi i Qendrës Teatrore për Fëmijë në një teatër për fëmijë në gjuhën shqipe në Maqedoni. Duke filluar nga tash, pasi që me këshillin e komunës ne do të sigurojmë për një vit të holla për mirëmbajtjen e objektit, në aspektin profesional kemi një shumë prej 1 milionë e 200 mijë denarë. Me realizimin e këtyre projekteve ne do të testojmë edhe veten duke parë se si do të funksionojmë këtë vit, që në vitin e ardhshëm të marrim hapin e dytë, institucionalizimin apo shndërrimin e Qendrës Teatrore në një teatër për fëmijë.

Portalb.mk: Tashmë që keni më shumë projekte, a pritet ndonjë ndërhyrje në pjesën e brendshme të objektit të Qendrës?

Bajrush Mjaku: Tash për tash nuk pritet ndonjë ndërhyrje në objektin e Qendrës Teatrore, pasi që vlerësojmë se çdo gjë është në rregull. Kemi 140 ulëse, ku po aq vetë mund të ulen aty, pa ndonjë problem dhe të ndjekin shfaqjen. Edhe pjesa e zërimit dhe ndriçimit është e mirë, madje mund të them këtu se pajisjet i kemi ndër më të mirat.

Portalb.mk: Një sqarim për lexuesit, shohim se herë flasim për Teatër të Fëmijëve në Çair dhe herë për Qendrën Teatrore, a janë dy institucione?

Bajrush Mjaku: Teatri i Fëmijëve është formuar me vendim të posaçëm të Këshillit të Komunës. Vendimi është sjell në qershor të 2016-s, por deri sa është realizuar regjistrimi dhe të gjitha gjërat tjera, zgjati më shumë se një vit. Me Teatrin e Fëmijëve të Çairit projekti i parë tash do të fillojë. Funksionon në kuadër të Komunës por që aktivitet i zhvillon në hapësirat e Qendrës Teatrore për Fëmijë. Edhe në Teatrin e Fëmijëve në Çair edhe në Qendrën Teatrore të Fëmijëve unë jam nënshkruesi i të dyja subjekteve juridike.

Portalb.mk: Si do të funksionojë Qendra Teatrore dhe a pritet të shkrihen me Teatrin e Fëmijëve të Çairit?

Bajrush Mjaku: Me Qendrën Teatrore do të funksionojmë normalisht. Nuk mendohet të shkrihen këto dy institucione. Deri sa nuk formohet mirë Teatri i Fëmijëve të Çairit, do të funksionojë Qendra Teatrore e Fëmijëve.

Portalb.mk: Meqë kemi teatër të ri, si të njoftohen fëmijët apo prindërit për aktivitetet e tij?

Bajrush Mjaku: Ne do ta kryejmë punën tonë si është më së miri, por zhvillimi i transparencës do të varet edhe nga financat. Varet se sa kemi buxhet që të mund të zhvillojmë marketingun dhe sektorin e informimit të Teatrit. Por kur vjen deri te realizimi i shfaqjes, neve na mjafton vetëm një telefonatë më shumë, në një shkollë, dhe shkolla bën kërkesë se sa shfaqje i do. Interesimi është i jashtëzakonshëm. Ne do të mundohemi që t’i mbulojmë kërkesat, t’iu plotësojmë dëshirat të gjithë shkollave dhe fëmijëve, por nuk do t’i anashkalojmë shkollat jashtë Çairit, Shkupit dhe në pjesën e Maqedonisë perëndimore.

Portalb.mk: Kur do të kemi trupë teatrore për Teatrin e Fëmijëve në Çair?

Bajrush Mjaku: Të gjithë të angazhuarit që merren për një shfaqje teatrore janë me honorare. Veç më kam bërë kërkesë në Komunë që të punësohen pesë veta, në stafin teknik, që në të ardhmen, pasi të shohim se si do të shkojnë punët këtë vit, sigurisht se do të kërkojë edhe për punësim të 5 apo gjashtë aktorëve. Por kjo do të ndodh kur do të kemi shkrirje të Qendrës Teatrore me Teatrin e Fëmijëve Çair dhe pasi të vendoset se a do të mbetemi nën ingerenca të Komunës apo Ministrisë.

Portalb.mk: Si bëhet që një shfaqje të jetë për fëmijë dhe të vihet në skenë?

Bajrush Mjaku: Zakonisht ne zgjedhim fabulat. Por nuk duhet të anashkalojmë se gjithnjë duhet të fokusohemi tek ajo se çfarë i intereson dhe e tërheq fëmijën. Për shembull, në botën e “Fabulës së Ezopit”, interesante është se kemi kukulla si: miu, luani dhe macja të cilat janë me përmasa po aq sa janë në të vërtetë, mirëpo luhen nëpërmjet aktorëve të cilët u qëndrojnë prapa.

Përalla e Ezopit në turne në Kosovë: “Përalla e Ezopit që është realizuar para tre vjetësh dhe që ende shfaqet, do të jetë në turne në Kosovë. Nëntë shfaqje do të ketë në Gjilan, tre shfaqje në Viti, pesë shfaqje në Ferizaj dhe tre shfaqje në Kaçanik. Shfaqja e Ezopit më 27 shkurt do të shfaqet në kuadër të Festivalit Multimedial në Sarajevë “Dimri i Sarajevës”.

Portalb.mk: Të gjitha shfaqjet për fëmijë thuajse janë me kukulla, sa lehtë mund t’i gjeni kukullat?

Bajrush Mjaku: Kukullat i punojmë vetë, kemi personin adekuat që merret me atë punë, kurse manipulimin apo mënyrën se si dalin në skenë e bëjnë aktorët që janë angazhuar për shfaqjen e caktuar. Aktorët tashmë kanë fituar një përvojë me kukullat. E atillë do të jetë edhe shfaqja që është fituar në kuadër të Teatrit të Fëmijëve të Çairit  “Përralla postare” në të cilën do të luajnë aktorët: Teuta Ajdini Jegeni, Dritëro Ame, Besfort Idrizi dhe Rabije Alilovska.

Portalb.mk: Që katër vjet në këtë objekt ka funksionuar edhe Teatri Shqiptar, sa e ka vështirësuar kjo punën e Qendrës Teatrore?

Bajrush Mjaku: Teatri Shqiptar ka mbajtur shfaqje në Qendrën Teatrore pasi që ata nuk kanë kushte. Kjo është bërë në mënyrë kolegiale, duke e pasur parasysh se unë kam qenë pjesë e atij Teatri, e kam lejuar një gjë të tillë vetëm e vetëm që ai të funksionojë.

Portalb.mk: Duke e pasur parasysh se tashmë katër dekada jeni në skenën e teatrit, krahasuar me vitet paraprake, në çfarë drejtimi është duke shkuar arti teatror shqiptar në Maqedoni?

Bajrush Mjaku: Mendoj se ka stagnim në këtë pikëpamje, për dallim nga ajo se si ka qenë gjatë kohës së gjeneratës sime. Atëherë teatri ishte pasion, kurse sot është interes. Ky është dallimi dhe problemi më i madh se pse kemi stagnim por ka të bëjë edhe me atë, sepse gjatë kohës sime kemi ditur të sakrifikojmë për teatrin, kurse sot kjo nuk bëhet. Gjithçka çfarë u intereson të rinjve është: të jenë në teatër, të marrin rrogë dhe aq. Ja bie fjala që janë ndarë mjetet nga Ministria, por a të ka rastisur të shihni ndonjë shfaqje që ta mbash mend edhe pse ajo shfaqet 30 herë? Kjo ndodh se tërë fokusi është të merren paratë dhe të mos interesohen për pjesën tjetër- çfarë efekti do të ketë në shoqëri ajo shfaqje?.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button