Autoritetet e Maqedonisë nuk mund ta konfirmojnë vrasjen e kumanovares 18 vjeçare në Siri

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), nuk mund të konfirmojnë një lajm të përhapur nëpër media që një vajzë 18 vjeçare nga Kumanova, e cila është pjesëtare e të ashtuquajturit Shtetit Islamik (SHI) është vrarë në Siri, njofton Portalb.mk.

Portalb.mk, ka kontaktuar me të dyja ministritë, por informatën asnjë nuk mund ta sigurojë, pasi që njëra arsyetohet se nuk ka kompetenca, ndërkaq tjetra thotë se është jashtë kornizave diplomatike.

“Kjo është kompetencë e MPJ-së, pasi që gjithçka që ndodh jashtë kufijve të shtetit ata janë përgjegjës”, thonë nga MPB.

Nga ana tjetër MPJ thotë se “është e vështirë të sigurohen informata të tilla pasi që nuk kemi kurrfarë marrëdhënie diplomatike me Sirinë. Ndoshta kjo çështje më tepër do të binte nën kompetencat e MPB-së pasi që del jashtë kornizave diplomatike, duke e pasur parasysh se personat dalin jashtë vendit në mënyrë ilegale dhe ikja për në këto vende është vepër penale”.

Sipas mediave, lajmi për vrasjen e 18 vjeçarës u është kumtuar familjarëve të saj.

“Vajza kumanovare para katër viteve ishte arratisur nga shtëpia e saj duke mësuar më vonë se gjendet në Siri në radhët e ushtrisë e SHI-së. Ajo për katër vite në rrethana të panjohura ka qëndruar në Siri dhe Irak dhe se nuk ishin dhënë lajme apo sensacione mediale rreth fatit të saj. Më në fund është mësuar edhe lajmi i kobshëm për vdekjen e saj, gjatë luftimeve të fundit të ashpra në territoret ku SHI-ja po pëson humbje të thellë dhe që ka humbur gati gjithë territorin që deri tani kishte nën kontroll”, shkruan portali Realiteti.

Vajza në fjalë pretendohet të jetë, ajo për të cilën shkruajtën mediat në vitin 2015. Sipas shkrimeve të atëhershme bëhet fjalë për 18 – vjeçaren, transmeton Portalb.mk.

Nuk diheshin arsyet e ikjes së saj pa paralajmëruar askënd. Arsyet nuk i dinte as familja e saj, aq më pak shkolla dhe kujdestari i saj. Tri ditë para se të merrte rrugën për në vendet e Lindjes së Mesme, Z.K. nuk kishte ndjekur plotësisht procesin edukativo-arsimor. Për ato tri ditë, mungesa e saj ishte vërejtur nga mësimdhënësit, por pas tri ditëve, më 13.03.2015, ajo është evidentuar në regjistër. Kjo dyshohet të jetë data e ikjes së saj. Pas informacioneve të konfirmuara, policia posedonte informacione se shtetasja në fjalë ishte rekrutuar, asgjë më tepër nuk është ndërmarrë.

Ndryshe, deri më tani, në betejat në Siri dhe Irak janë vrarë të paktën 15 persona nga Maqedonia.

Sipas ndryshimeve të fundit ligjore të vitit 2014 të Kodit Penal të Maqedonisë, së paku me 5 vjet burg do të dënohet ai person që do të krijojë, organizojë, rekrutojë, transportojë, organizojë udhëtim, do t’i pajisë, trajnojë ose në mënyrë tjetër do të përgatis person ose grup për pjesëmarrje në luftëra në ushtri ose polici të huaja, formacione parapolicore ose paraushtarake, grupe të organizuara ose individuale, jashtë nga territori i Maqedonisë.

Me dënim prej 5 vjetëve do të dënohet edhe ai i cili drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte, do të japë, sigurojë, kërkojë, mbledh ose mbulojë mjete financiare, fonde, mjete materiale ose pajisje të cilat do të jenë me qëllim për kryerjen e veprës penale të këtij lloji.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button