Debati i “nxehtë” për flamurin shqiptar dhe shtetëror

Largimi i flamurit kombëtar dhe vendosja e atij shtetëror “Te rrethi” ka ngritur debat të nxehtë një ditë më parë.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj në prag të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka urdhëruar vendosjen e flamurit shtetëror “Te rrethi”.

Ai mbrëmë në një postim në rrjetin social Facebook theksoi se flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë dhe se me shekuj kanë rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duan dhe do ta respektojnë.

“Vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombëtare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike. Të dashur qytetarë, Ta ruajmë rrugëtimin, edhe ashtu të vështirë, të shtetit tonë të ri”, shkruan Haradinaj.

Nënkryetari i Prishtinës, Selim Pacolli ka qëndruar mbrëmë “Te Rrethi” në kohën kur u vendos flamuri i Kosovës. Ai është pritur me protesta dhe fjalë fyese nga qytetarët e pranishëm.

Pacolli ka pohuar se vendimin për heqjen e flamurit kombëtar dhe vendosjen e flamurit shtetëror e ka marrë kryeministri i vendit, e jo Komuna e Prishtinës, transmeton Telegrafi.

Lidhur me largimin e flamurit kombëtar, ka reaguar edhe lëvizja Vetëvendosje. “Ky aksion i ndërmarrë natën, ka si qëllim ndërtimin e të ashtuquajturit identitet kosovar në kurriz të identitetit tonë kombëtar shqiptar. Pikërisht për këtë arsye u ndërmor në terr, e me prezencë të lartë policore. Por në Kosovë secili që është përpjekur të ulë flamurin shqiptar për të ngritur flamuj të tjerë, ka dështuar. Ne shqiptarët jemi shumicë absolute në Kosovë, dhe nuk do të vonojë koha kur do të arrijmë të vendosim vetë për veten tonë, gjithnjë duke i respektuar të drejtat e komuniteteve të ndryshme e minoriteteve që jetojnë mes nesh e me ne”, thuhet ndër të tjera në reagimin e VV-së.

Por, analisti Imer Mushkolaj në emisionin “Debat D Plus” në RTV Dukagjini ka thënë mbrëmë se më 17 shkurt të viti 2008, “te Rrethi” në hyrje të Prishtinës është vendosur me të drejtë flamuri i shtetit të ri.

Ai ka thënë se ndonëse flamuri nuk ka qenë shumë i pëlqyer një populli, ai më të drejtë u vendos në atë vend, e që sipas tij tregonte lindjen e një shteti të ri.

“Në vitin 2013, flamur shtetëror u hoq nga ai vend për tu zëvendësuar më atë kombëtar, nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), ku ndaj një aktivisti u ngrit padi për këtë veprim”, ka shtuar Mushkolaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button