RILINDJA QË NA DUHET

Duket e pabesueshme (sot shumëçka normale duket e pabesueshme) kur themi se dikur prisnim me padurim që t’i lexonim librat e botuar nga “Rilindja”. Prisnim me padurim t’i lexonim revistat “Zëri”, “Fjala”, “Jeta e Re”. Dita pa “Rilindjen” dukej si e zbrazur, edhe atëherë kur aty ndjehej dora e censurës.

Nëpër qytete të Maqedonisë, ku jetonin shqiptarët, ishin libraritë e “Rilindjes”. Aty një libër kushtonte sa një hamburger. Mund t’i paguaje librat edhe me kredi, siç bënte im atë.

Kosova ishte krahinë autonome, por reflektonte mendim e dije kudo ku jetonin shqiptarët.

Kosova ishte bërë strehë shpëtimi për ata që i fshikullonte kamxhiku i pushtetit për shkak të bindjeve politike.

Universiteti i Prishtinës ndikoi fuqishëm te shqiptarët e Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi.

Elita intelektuale e Prishtinës reflektoi fuqishëm në hapësirën shqiptare. I mbaj mend komentet e mediave maqedonase kundër “paternalizmit kosovar”.

Brezi ynë, i formuar në Kosovë ose nëpërmjet saj, ka ndjeshmëri të veçantë ndaj kësaj qendre kulturore, që këtë brez e pasuroi me dritë e dije.

Sot Kosova është shtet i pavarur, por nuk reflekton si dikur. Librat e autorëve të respektuar nga Kosova dhe gjithçka që botohet atje nuk arrijnë në Maqedoni. As anasjelltas. Bëhemi gjithnjë më të largët.

Le t’i kthehemi “Rilindjes”, institucionit që assesi s’do të duhej që të shuhej. Është e njëjtë sikur të lejonim shuarjen e Universitetit të Prishtinës, vatrës së dijes, që shqiptarët, kudo ku jetojnë, duhet t’i jenë mirënjohës përjetësisht.

“Rilindja” duhej të ishte institucion publik, sepse kontribuoi në rilindjen kulturore të shqiptarëve që jetonin në hapësirën e Jugosllavisë së dikurshme. “Rilindja” i botoi veprat e klasikëve të letërsisë shqipe: të Naimit, Sami Frashërit, Pashko Vasës, Çajupit, Mjedës, Asdrenit, Gjeçovit, Nolit etj. “Rilindja” botoi kryeveprat e letërsisë botërore, pa të cilat sistemi ynë kulturor do të ishte i varfër. “Rilindja” botoi libra autorësh nga gjithë viset shqiptare. “Rilindja” botoi autorë të mendimit dhe filozofisë botërore.

Thuhet se nuk jetojmë në kohën e komunizmit që të kemi shtëpi botuese me karakter publik. Cila shtëpi botuese e bën sot atë që “Rilindja” e bëri dikur? Nëse mund të ketë televizion kombëtar, teatër kombëtar, përse nuk duhet të ketë shtëpi botuese kombëtare?

“Rilindja” duhej që të ruhej si pasuri kombëtare, të trajtohej ndryshe nga shteti i Kosovës, sigurisht pa u përjashtuar shtëpitë botuese private. Nuk i kushton asgjë shtetit të Kosovës që ta financojë një shtëpi botuese me karakter publik, e cila do t’i botonte, së paku, librat e domosdoshëm për një kulturë. Kjo duhet bërë edhe në Maqedoni.

Sot janë harruar shumë personalitete të kulturës shqiptare. Brezit të ri duhet t’i ofrohen sa më shumë kompletet e veprave të shkrimtarëve që nuk janë më në mesin tonë, sikurse: Anton Pashkut, Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, Beqir Musliut, Teki Dërvishit, Mirko Gashit, Qerim Arifit, Esad Mekulit, Hivzi Sulejmanit, Bajram Krasniqit, Qerim Ujkanit, Tahir Deskut, Basri Çapriqit, por edhe të shkrimtarëve nga viset tjera shqiptare. Ashtu siç bënte dikur “Rilindja”.

Mund të na vlejë si shembull projekti i qeverisë paraprake të Maqedonisë. Ajo, me logon e saj, çdo autori maqedonas ia botoi e ia përktheu librat në disa gjuhë dhe i shpërndau nëpër të gjithë bibliotekat më të rëndësishme të botës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button