Lideri i socialdemokratëve gjermanë Shulc dha dorëheqje

Kryetari i partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD), Martin Shulc sonte njoftoi se jep dorëheqje nga funksioni lider i partisë.

Pas dorëheqjes së Shulcit, udhëheqësia e SPD-së caktoi kongres të jashtëzakonshëm partiak për më 22 prill në të cilin do të duhet të zgjidhet lideri i ri i socialdemokratëve.

Deri në zgjedhjen e njeriut të parë të partisë, ushtrues i detyrës lider i partisë do të jetë prefekti i Hamburgut, Olaf Sholc.

Sipas burimeve të partisë, kandidat më serioz për lider të ri të partisë është kryetarja e grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag, Andrea Nales.

Në zgjedhjet në shtator të vitit të kaluar SPD realizoi rezultate zgjedhore pas Luftës së Dytë Botërore, me ç’rast Shulc paralajmëroi se socialdemokratët nuk do ta vazhdojnë koalicionin qeveritar me konservativët të kancelares gjermane Angela Merkel dhe se do të kalojnë në opozitë. Por, pas mossuksesit të Merkelit që të sigurojë shumicë të re parlamentare, Shulc e ndryshoi qëndrimin dhe vendosi të fillojë të negociojë me konservativët për formim të koalicionit të ri qeveritar.

Të martën e kaluar socialdemokratët arritën marrëveshje me bllokun konservativ të Merkelit për koalicion të ri, për të cilin në referendum brendapartiak duhet të prononcohen rreth 460.000 anëtarë të SPD-së.

Me marrëveshje të koalicionit ishte paraparë që Shulc të jetë shef i ri i diplomacisë gjermane, por pasi iu ekspozua kritikave, madje edhe nga anëtarë të theksuar të SPD-së, rreth marrëveshjes dhe zgjidhjeve kadrovike, ai paralajmëroi se nuk do të jetë ministër në qeverinë e re.

“Heq dorë nga pjesëmarrja në Qeverinë federale dhe në të njëjtën kohë lus që me këtë t’u vihet fund debateve për zgjidhjet personale në kuadër të SPD-së”, theksoi Shulc të premten në kumtesën me shkrim në të cilën e elaboroi vendimin e tij që të mos jetë shef i diplomacisë, duke shtuar se ka vendosur që interesat e partisë t’i vendosë para ambicieve të tij personale.

Vendimi i Shulcit për tërheqje fillimisht nga funksioni ministror, tani edhe nga funksioni lider i SPD-së vlerësohet si njëfarë tentimi për tejkalim të ndarjeve partiake në vigjilje të prononcimit të anëtarësisë për marrëveshje koalicioni me Merkelin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button