Stoltenberg: Asnjë anëtar i NATO-s nuk ka qenë i ekspozuar ndaj terrorizmit më shumë se Turqia

 Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në lidhje me Operacionin “Dega e Ullirit” tha se Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë. Ai ka theksuar se asnjë vend anëtar i NATO-s nuk ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve terroriste më shumë se Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg, në një konferencë për mediat në selinë e NATO-s në Bruksel, duke tërhequr vëmendjen se Turqia javën e kaluar ka informuar NATO-n për Operacionin “Dega e Ullirit”, ka bërë të ditur se ai vetë rreth situatës në Siri është në kontakt të rregullt me udhëheqësit turq, duke përfshirë presidentin Recep Tayyip Erdoğan.

“Ne presim që Turqia të vazhdojë të informojë aleatët e NATO-s. Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë. Asnjë anëtar i NATO-s nuk ka qenë i ekspozuar ndaj sulmeve terroriste më shumë se Turqia. Ajo ka të drejtë të zgjidhë këto shqetësime të saj të sigurisë, por duhet ta kryejë në mënyrë proporcionale dhe të matur”, është shprehur Stoltenberg.

– “Negociatat mes SHBA-ve dhe Turqi-së, të kënaqshme”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në lidhje me Operacionin “Dega e Ullirit” tha se “Unë jam i kënaqur për negociatat mes Turqisë dhe SHBA-ve”.

Për marrëveshjen mes Turqisë dhe Rusisë për sistemin e mbrojtjes raketore S-400, Stoltenberg ka theksuar se “Njoftimi i detajeve të marrëveshjes i përket Turqisë. Nga ana tjetër, ne e mirëpresim zhvillimin e sistemit të përbashkët të mbrojtjes ajrore të Turqisë me dy aleatët e NATO-s, me Italinë dhe Francën”.

– Plani i Evropës për mbrojtjen

Stoltenberg, ka bërë të ditur se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe e kapaciteteve të Evropës do të forcojnë NATO-n dhe do të kontribuojnë në ndarjen e barabartë të barrës. Ai ka shtuar se përpjekjet e Bashkimit Evropian (BE) duhet të zhvillohen në mënyrën “plotësuese” dhe jo në vend të “alternativës” ndaj NATO-s.

“Për arsye se BE dhe NATO ndajnë të njëjtët anëtarë, është absolutisht e pakuptimtë të fillosh konkurrencën. Më shumë se 90 për qind e njerëzve që jetojnë në BE jetojnë në territorin e NATO-s”, tha Stoltenberg, lidhur me hapat e BE-së ndaj mbrojtjes.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se mbrojtja e Evropës është e lidhur me NATO-n, Stoltenberg, vuri në dukje se “kryesisht pas Brexit 80 për qind e shpenzimeve të mbrojtjes, do të vijnë nga aleatët e NATO-s jashtë BE-së”.

Turqia në Takimin Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s që do të fillojë nesër, do të përfaqësohet nga ministri i Mbrojtjes, Nurettin Canikli. Ministri Canikli do të zhvillojë bisedime dypalëshe me homologun e SHBA-ve, James Mattis, disa nga ministrat e vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe me Stoltenberg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button