Zaev: U bëj thirrje biznesmenëve turq të investojnë në Maqedoni

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, tha se Maqedonia gjithmonë i ka dyert e hapura për biznesmenët turq, duke i ftuar ata të investojnë në këtë vend, transmeton Anadolu Agency.

Në kuadër të vizitës së tij në Turqi, Zaev mori pjesë në një darkë pune të organizuar mbrëmë nga Unioni i Odave dhe Berzave të Turqisë (TOBB) në Ankara.

Në fjalën e tij, Zaev theksoi se Turqia dhe Maqedonia kanë lidhje të forta miqësore që datojnë nga e kaluara, duke shtuar se synojnë që vëllimin tregtar prej 475 milionë dollarëve mes dy vendeve ta rrisin në një miliard dollarë.

Kryeministri maqedonas tha se punojnë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen biznesmenët turq në Maqedoni.

“Turqia mbështet fuqimisht integrimin e vendit tim në institucionet euroatlantike. Pas pavarësisë, Turqia u bë mbështetësi ynë më i madh. Dyert tona janë gjithnjë të hapura për biznesmenët turq. Si kryeministër, unë ndaj një të tretën e kohës për biznesmenët, kurse gjysmën e kohës së ndarë për biznesmenët e ndaj për biznesmenët turq”, tha Zaev.

“Unë kam punuar me biznesmenë turq kur vetë punoja në fushën e biznesit. Prej dhjetë vitesh nuk marrim taksa. Madje, ne paguajmë disa nga shpenzimet e punëtorëve. Ejani dhe investoni. Nga kryeministri i Maqedonisë, ministrat dhe deputetët, u dërgojmë ftesë të hapur biznesmenëve turq”, apeloi kryeministri Zaev.

Nga ana tjetër, anëtari i bordit drejtues në TOBB përgjegjës për financa, Faik Yavuz, tha se investimet turke në Maqedoni janë rritur me shpejtësi në dhjetë vitet e fundit, duke shtuar se në këtë vend ekzistojnë afër 100 biznesmenë turq me kapital në Turqi dhe investime prej 1,2 miliardë dollarësh në shumë fusha, përfshirë fushën e bankave, arsimit, shëndetësisë, ndërtimit, bujqësisë, tekstilit, tregtisë me pakicë, si dhe turizmit.

Yavuz tha se Maqedonia ofron mundësi atraktive për investitorët në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe produkteve bujqësore të përpunuara.

“Presim të rinegociohet marrëveshja aktuale e tregtisë së lirë mes Maqedonisë dhe vendit tonë. Në këtë mënyrë, do të mundësohet eliminimi i detyrimeve doganore në të gjitha produktet bujqësore ose caktimi i normave koncesionale”, tha Yavuz.

Yavuz po ashtu tha se shumë sipërmarrës turq kanë kryer hulumtime paraprake për investime në sektorë të ndryshëm në Maqedoni, duke përfshirë prodhimin dhe distribuimin e energjisë, bujqësinë, hotelierisë dhe spitaleve.

Në darkën e punës nga Maqedonia mori pjesë një delegacion i përbërë nga ministra dhe deputetë, ambasadorja e Turqisë në Maqedoni Tülin Erkal Kara dhe investitorë turq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button