Praktikum sociologjik: akulturimi dhe asimilimi

Meqë terminologjia bazë e shkencave sociale paraqet instrumentariumin pa të cilin s’mund të zhvillohet kultura sociale e një individi dhe bashkësie në kohën tonë të shoqërisë së dijes dhe garës, e pamë të arsyeshme që, kohë pas kohe, në këtë kënd tonin, të japim zbërthimin e disa prej termave e nocioneve që i përdorim por shpesh i ngatërrojmë në komunikim ose i përdorim gabimisht. Këtë radhë do të elaborojmë dy syresh, akulturimin dhe asimilimin.

Akulturimi (acculturation) – Term i antropologjisë kulturore, me ndikim të veçantë në Shtetet e Bashkuara, që shënon procesin në të cilin kontaktet ndërmjet grupeve të ndryshme kulturore çojnë në përvetësimin e formave të reja kulturore të njërit ose të të dy grupeve, duke i përbrendësuar të gjitha elementet e kulturës së tjetrit. Bartje e kulturës prej një grupi te tjetri, prej një brezi në tjetrin. Akulturimi nënkupton edhe zëvendësimin e bindjeve dhe sjelljeve tradicionale me bindjet dhe mënyrat e sjelljes së kulturës dominuese, si dhe injektimin e vlerave, mendimeve, bindjeve dhe të formave të tjera shoqërore e kulturore. Akulturimi është i afërt edhe me procesin e socializimit, përmes të cilit fëmijët mësojnë mënyrat e sjelljes që i ofron kultura në të cilën rriten. Një grup sociologësh akulturimin e lidhin edhe me ndryshimet që një njeri i përjeton në një vend të huaj, të cilat i mundësojnë t’i përshtatet kulturës së re, si dhe me pëlqimin e matricave kulturore të kulturës së huaj. Studiuesit anglezë parapëlqejnë shprehjen culture contact (kontakt kulturor), i cili nënkupton proceset e marrëdhënieve (huazimeve) që hasen si rezultat i ndeshjes mes kulturash të ndryshme. Ka shumë përkufizime lidhur me akulturimin, madje edhe kundërthënëse. Më i përfoluri dhe mjaft i kundërshtuar është ai i R. Redfield-it, R. Lintonit dhe M. Herskovitz-it: „Akulturimi përfshin dukuritë që rezultojnë nga kontakti direkt dhe i vazhdueshëm ndërmjet grupeve të individëve të kulturave të ndryshme, me pasoja ndryshimesh në mënyrat kulturore të njërit apo të të dy grupeve“. Proceset akulturuese kryhen në kontaktet: (1) ndërmjet popullatave globale dhe disa grupeve të ngushta, (2) ndërmjet shoqërive miqësore dhe armiqësore, (3) ndërmjet qytetërimeve relativisht homogjene dhe heterogjene, (4) ndërmjet popullatave relativisht të ngjashme sipas statusit shoqëror dhe atyre që s’janë të tilla, (5) në varësi të vendit ose hapësirës në të cilën realizohet kontakti kulturor. M. de Coster flet për gjashtë lloje të akulturimit: kontakti, komunikimi, vlerësimi, pranimi ose largimi i plotë apo i pjesshëm, integrimi dhe përshtatja e dispozitave fillestare dhe asimilimi. Sipas de Coster-it akulturimi mund të ndodhë vetëm në mes dy qytetërimeve, madje edhe përmes kontakteve të kohëpaskohshme. (Cirese, 2006: 220; Budak, 2000: 484)

Asimilimi (assimilation) – Proces i shkrirjes kulturore dhe sociale të grupeve me identitete të ndryshme. Kur elementet kulturore të një grupi, zakonisht minoritar dhe margjinal ndryshojnë në drejtim të grupit tjetër (sundues dhe grup model), pra kur njëri grup i humb cilësitë e veta dhe i zëvendëson ato me tiparet e grupit tjetër, kemi të bëjmë me asimilim kulturor (shih: akulturimi). Anëtarët e grupeve të ndryshme të një shoqërie duhet të kenë elemente kulturore të përbashkëta që të mund të komunikojnë mes vete. Për shembull, për të pasur kontakte sociale dhe ekonomike para së gjithash duhet të flasin gjuhë të njëjtë dhe të kenë pikëpamje të njëjta për elementet bazë të jetës shoqëroro-ekonomike. Me përforcimin e marrëdhënieve, pjesëtarët e grupeve të ndryshme fillojnë të kenë shije të njëjtë për ushqimin, veshmbathjen, për vlerat, madje edhe për të shenjtën, pra të kenë një kohezion ideor. Skllevërit afroamerikanë përvetësuan gjuhën dhe fenë e zotërinjve të vet, banorë holandezë dhe gjermanë në SHBA përvetësuan anglishten si gjuhë të veten, magrebinët frëngjishten, myslimanët e ish-BRSS rusishten si lingua franca. Por asimilimi kulturor është i dyanshëm. Format e muzikës amerikane si bluzi, xhazi dhe roku i kanë rrënjët në muzikën afrikane. Anglishtja e Amerikës ngërthen fjalë gjermane si “Gesundheit” dhe “Kindergarten”, fjalë holandeze si “skipper”, “cookie” etj. Sipas Vidanoviqit, asimilimi nënkupton humbje të shkallës së lartë të autonomisë, kurse akulturimi më tepër e thekson pranimin e vlerave dhe modeleve kulturore të grupit shumicë. Shoqëritë autoritare edhe procesin asimilues, edhe atë akulturues e zbatojnë me forcë, duke e kushtëzuar ekzistimin e grupeve pakicë me asimilim gjegjësisht akulturim. Grupet margjinale këtyre proceseve u bëjnë ballë përmes organizmit të veprimtarive me ngjyrime kombëtare, siç janë mësimi nëpër shkolla ku arsimimi zhvillohet në gjuhën amë, aktivitetet folklorike, ritualet fetare, festat kombëtare, takimet nëpër klube emigrantësh, ndjekja e TV kanaleve të vendit nga vijnë etj. (Hughes, 1999: 222-224)

Konkluzion: akulturimi është transferim vlerash dhe zakonesh nga një grup te tjetri në kushte paqësore (p.sh. joga në SHBA), kurse asimilimi është garë mes dy kulturave, absorbim kulturor i një grupi pakicë në trupin kryesor apo më të fortë kulturor si pasojë e kushteve të presionit në kontekst të imigrimit, pushtimit etj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button