Mahmud Abbas do të kërkojë mbështetjen e Rusisë për Jerusalemin

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas ka arritur në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladmir Putin, derisa kërkon mbështetjen e Rusisë në kohën e rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara, transmeton REL.

Fillimisht ishte planfikuar që Abbas të takohej me Putinin në Soçi, mirëpo lideri rus ka anuluar udhëtimin për të vëzhguar zhvillimet pas rrëzimit të aeroplanit me pasagjerë në të cilin kanë vdekur 71 persona gjatë ditës së djeshme.

Vizita e liderit palestinez në Moskë vjen vetëm dy javë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është takuar me Putinin.

Marrëdhëniet në mes të administratës amerikane dhe palestinezëve janë tensionuar prej kur presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se e njeh Jerusalemin kryeqytet të Izraelit.

Ky hap ka zemëruar vendet arabe derisa është kundërshtuar edhe nga vende të tjera në botë.

Palestinezët e konsiderojnë Jerusalemin si kryeqytet të shtetit të tyre në të ardhmen.

Po ashtu Abbas është duke kërkuar mbështetje nga mekanizmat ndërkombëtarë për bisedimet për paqe të Lindjes së Mesme, ashtu që të zëvendësojë SHBA-në si lojëtari kryesor.

Izraeli dhe SHBA-ja kanë kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare duke përfshirë Kombet e Bashkuara në negociatat për paqe, duke shprehur shqetësime se ky do të ishte hap i anshëm kundër Izraelit.

Ata kanë insistuar në bisedime të drejtpërdrejta në mes të palëve.

“Rusia dhe Putin mund të luajnë rol të rëndësishëm për një forum ndërkombëtar të paqes”, është cituar të ketë thënë, Majdi al-Khalidi, kështillari i Abbasit.

Abbas, që pritet të flasë para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 20 shkurt është zemëruar edhe pas kërcënimeve të Trumpit se do të ndalojë ndihmat për Autoritetin Palesitnez.

Më 2016 Rusia ka propozuar të jetë nikoqire e bisedimeve në mes të Abbas dhe Netanyahu, mirëpo asgjë nuk është konkretizuar deri më tash.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button