Ekspertët, rastit të Haki Hazirit i vie era Sopot

Gjyqësori do të hasë në shumë probleme gjatë gjykimit të Haki Hazirit, paralajmërojnë ekspertë të fushës së drejtësisë.  Vetë mënyra e arrestimit të tij, mos nxjerrja para gjykatësit, zhdukja për një javë dhe në fund ndërrimi i statusit të tij nga dëshmitar i mbrojtur në të akuzuar do të lë shumë pikëpyetje, thotë profesori universitar, Osman Kadriu.

‘Kjo do të lind probleme serioze, pasi që gjyqësori do të has në rrethana që do të jenë irelevante, pasi  personi në fjalë në fillim ka pasur status të dëshmitarit të mbrojtur, ka qenë i arrestuar dhe pastaj i pakapshëm dhe tash del si i akuzuar, është një situatë absurde për të cilat kemi reaguar të gjithë, edhe unë personalisht kam reaguar. Nuk mund të mos dijë policia se ku ka qenë personi në fjalë’ thotë Kadriu .

Indikacioni më i madh është se i është ndëruar statusi, shton Kadriu , nga dëshmitar i mbrojtur në të akuzuar, dhe i ndahet paraburgim 30 ditor, pasi që ai ka dhënë deklaratë gjatë kohës kur ka qenë në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur.

‘Kjo deklaratë në asnjë mënyrë nuk mund të përdoret  gjatë seancës së gjykimit, ku ai mund të ketë folur për veten dhe për të akuzuarit tjerë, sepse së pari duhet të sqarohet nëse deklaratën e ka dhënë me vullnet të lirë, apo nën presion dhe kërcënim të policisë, apo ndoshta edhe përmes përdorimit të forcës fizike etj. Mbrojtja duhet të shkojë deri në fund’. 

‘Ky rast shumë me ngjason me rastin e Sopotit, ku një dëshmitar nën presion dhe nën përdorimin e forcës fizike nga ana e policisë. Dha deklaratë se veprën në atë fshat e kishin bërë 11 bashkëfshatarë të tij, të cilët u dënuan me shumë vite në burg, për shkak  të asaj deklarate’, thotë Kadriu.

Për rastin që ka ngjallur më së shumti reagime por edhe huti në opinion është prononcuar sërish edhe avokati mbrojtës i tij, të cilin shteti ia ka ndarë Hazirit. Ai ka mohuar se klienti i tij ka pranuar veprën para gjykatësit hetues.

Për Portalb ai tha se nuk mund ta komentoj deklaratën  e dhënë nga i akuzuari pranë gjykatësit hetues, sepse lënda e Haki Hazirit zhvillohet nën masa të posaçme hetuese.

‘Atë që mund ta them është se jam i sigurt se Haki Haziri as që ka qenë në vendin ku është kryer vrasja, dhe as që ka parë persona të uniformuar apo të armatosur, Hakiu nuk ka kurrë farë lidhje me rastin’, thotë Raufi.

Për atë nëse Hakiu u riarrestua më 7 maj, apo tërë kohën ishte i mbajtur nga policia, Raufi thotë se më 7 maj në ora 16, në gjykatë Haziri u soll nga policia, deri në orën 20 u morr në pyetje, iu shqiptua paraburgim 30 ditor dhe pastaj u dërgua në burgun hetues në Prilep, prej atëherë nuk kam kontaktuar me të.

‘Gjatë marrjes në pyetje nga ana e gjykatësit hetues, njëzet herë e pyeta a të kanë rrahur, a të kanë bërë presion, ai mohonte gjithçka. I tregova të drejtën për të kontaktuar me telefon me familjarët, ai nuk deshi të flasë me askënd’ thotë Raufi.

Familja e Hakiut për ndihmë i është drejtuar Avokatit të Popullit. Kërkojnë të dinë se çfarë po ndodh me djalin e tyre, dhe a është procedura ndaj në përputhje me ligjin. 

Avokati i popullit u ka premtuar se për ligjshmërinë e procedurës për rastin në fjalë do të kryej analizë në dy pista.

‘Rastin do ta trajtojmë në dy drejtime, së pari vallë privimi nga liria ishte apo jo konform me ligjin, posaçërisht në rastin e Haki Hazirit, si u veprua me të  prej periudhës së marrjes nga veprimet policore dhe a kishte shkelje ligjore?!”

Sipas ekspertëve në Maqedoni si shtet me 2 milion banorë dhe me një territor të vogël është gati e pamundshme që të sigurohet një dëshmitar i mbrojtur. Rrethi  sipas tyre është shumë i ngushtë dhe është shumë vështirë që një person të mbetet anonim, ndërsa për Haki Hazirin të cilit iu bë publik emri dhe fotografia është e pamundur.

Vlen të theksohet se lajmin për ekzistimin e një dëshmitari të mbrojtur për vrasjen e pesëfishtë, akoma pa ditur se një i tillë ekziston e publikuan mediat serbe menjëherë pas aksionit  policor Monstrum. 

Rasti i Haki Hazirit në Maqedoni u bë i njohur kur babai i tij u ankua se Hakiu, që ishte arrestuar mëngjesin e 1 majit nuk ishte dërguar në gjykatë dhe nuk dihej ku ishte./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button