ANALIZË: A do të lehtësohen kushtet për kreditim – pritjet e bankierëve!

Firmat të përmbajtura nga kërkimi i kredive, ndërsa për qytetarët edhe më tutje kreditë konsumatore dhe ato për banesa janë më atraktive. Banka Popullore bëri një përmbledhje të vitit 2017. Vitin e kaluar, ekspozimi i përgjithshëm kreditor ka kapur vlerën 4,8 miliardë euro, njofton analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Një pjesë e bankierëve thonë se me fillimin e vitit 2018 presin rritje të kërkesave për kredi nga firmat dhe popullata, një pjesë e kushteve për kreditim do të lehtësohen, mirëpo kryesisht në pjesën e provizioneve, për shkak të konkurrencës ndërmjet bankave.

Kreditimi i kompanive…

Lehtësimi i kushteve për kreditim të kompanive do të vazhdojë edhe në tremujorin e parë të vitit 2018, si vazhdim i këtij trendi nga tremujori i fundit të vitit 2017. Sipas vlerësimeve të bankierëve, pjesëmarrje më të madhe në lehtësimin e kushteve ka përqindja e kamatës, mirëpo një pjesë e kushteve mbeten të pandryshuara.

“Sa i përket kushteve për kreditimin e sektorit korporativ, të cilat janë të ndërlidhura me madhësinë e huasë apo të linjës kreditore, kërkesat për sigurimin dhe maturimin e huave, te bankat edhe më tutje vërehet se këto kushte janë relativisht të pandryshuara” – njoftojnë për Portalb.mk nga Banka Popullore, duke iu referuar rezultateve të anketës së realizuar në mesin e bankierëve.

Faktor kyç nga i cili varet lehtësimi i kushteve kreditore për kompanitë është konkurrenca, e cila ka ndikim të theksuar dhe dominues mbi lehtësimin e kushteve për kreditim. Pason konkurrenca nga bankat e tjera, konkurrenca nga sektori jobankar dhe konkurrenca nga financimi i tregut. Mirëpo, gjatë kreditimit të firmave, bankat edhe më tutje tregojnë një shkallë të lartë të kujdesit, me ç’rast edhe më tutje parametra më të rëndësishëm mbeten kondicioni financiar i firmave, mirëpo edhe perspektiva e degës ekonomike, gjegjësisht e biznesit të cilit i takon kompania që kërkon kredi. Kështu, pjesa më e madhe e bankierëve kanë deklaruar se faktorë më të rëndësishëm gjatë miratimit të kredive janë aftësia për pagesë dhe të ardhurat e klientit, e pastaj vijnë cilësia e projektit investues, lojaliteti ndaj bankës dhe sigurimit.

Një pjesë e bankierëve thonë se në periudhën që pason presin rritje të kërkesave për kredi nga ana e firmave.

“Viti i kaluar 2017 ishte i paqartë, kishte rreziqe për shkak të gjendjes së brendshme politike, mirëpo dalëngadalë vërehet se gjendja ndryshon. Në tremujorin e fundit të vitit 2017 pati rigjallërim në tregun e kredive. Te popullata kemi rritje konstante të kreditimit, mirëpo do të thoja se ky trend vërehet edhe te firmat. Pritjet janë se këtë vit do të kemi tregues pak më të mirë për rritjen kreditore te kompanitë, të cilat në periudhën e kaluar përmbaheshin nga investimet”, thonë bankierët për Portalb.mk.

Sipas të dhënave më të reja të publikuara që e përmbledhin vitin bankar 2017, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ishte 2,5 miliardë euro dhe është rritur në krahasim me dhjetorin e vitit 2016, kur ka qenë 2,4 miliardë euro.

Kreditimi i qytetarëve…

Në përpjekje që të stimulohet kreditimi i popullatës, mirëpo edhe për t’u përballur me konkurrencën, një pjesë e bankave u futën në një proces të lehtësimit të konsiderueshëm të kushteve për kredi për qytetarët. Lehtësim më të dukshëm, sipas vlerësimeve të bankierëve, ka për kreditë konsumatore, të cilat njëkohësisht janë edhe më atraktive për popullatën.

“Intensifikimi i matur i lehtësimit neto të kushteve për kreditim vërehet te kreditë konsumatore, si rezultat i përqindjes më të madhe të bankave që janë përcaktuar për lehtësim të kushteve kreditore. Megjithatë, te pjesa më e madhe e bankave edhe më tutje vërehen kushtet e pandryshuara për kredi gjatë miratimit të kredive për amvisëritë” – thonë për Portalb.mk nga Banka Popullore.

Lehtësimi i kushteve për kredi kryesisht ka të bëjë me pjesën e provizioneve.

“Te përqindja më e madhe e bankave vërehet përqindje e pandryshuar e kamatës te kreditë për banesa dhe ato konsumatore. Lehtësim më të madh neto në krahasim me anketën paraprake vërehet te provizionet për të dyja llojet e kredive. Te kushtet për kreditë e tjera, nuk janë vërejtur ndryshime më të mëdha” – thuhet në anketën e re të publikuar nga BPM-ja.

Sipas bankierëve, pritet që ky vit të fillojë me rritje të kërkesave për kredi, para së gjithash të atyre konsumatore dhe të atyre për banesa, si rezultat i perspektivave të favorshme në tregun për ndërtimin e banesave dhe i besimit të konsumatorëve, mirëpo në kërkesën e shtuar për kredi ndikim kanë edhe kursimet e amvisërive, shkruan Portalb.mk. Poashtu, është rritur numri i bankierëve që konsiderojnë se në tre muajt e parë të viti të ri 2018 do të ketë lehtësim të pjesshëm të kushteve për kreditë për banesa dhe ato konsumatore.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave ndaj popullatës ka qenë 2,3 miliardë euro dhe kjo paraqet rritje në krahasim me vitin 2016 kur ka qenë në nivel prej 2,1 miliardë euro. Pra, viti bankar 2017 përfundoi me rritje të kreditimit në krahasim me vitin 2016, ose në fund të dhjetorit plasmani kreditor i bankave ka qenë 4 miliardë e 856 milionë euro. Në strukturën valutore dominojnë kreditë në denarë me pjesëmarrje prej 83,7%, ndërsa pjesa tjetër prej 16,2% janë kredi në deviza. Niveli i kredive jofunksionale apo problematike, vitin e kaluar ka qenë 304,7 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button