Njerëzit me zile mbi kokë

Sulejman Rexhepi

Sulejman Rexhepi

Lexova para do kohe një kuriozitet shumë interesantë. Në Mesjetë, në Skoci dhe në Angli, qenka konsideruar një krim i madh të flisje keq për tjetrin, të shpifje, apo të përhapje lajme që nuk janë të vërteta.Si dënim,  thashethemexhinjëve, për mëkatin e tyre të madh, ju paskan vendosur një hekur në fytyrë, që ua ka kapur kokën dhe ua paska shtypur gjuhën me një thikë. Ashtu,të shkretët thashethemexhinjë,  nuk paskan  mundur të nxjerrin zë, pasi mekanizmi kishte qenë i kyçur me disa çelësa dhe sipër kokës kishte pasur një këmbanë që bëntë zhurmë sa herë që lëvizte koka. Njerëzit që dëgjonin atë zhurmë dilnin në rrugë të shikonin thashethemexhiun …

Teksa po frymëmerr ky tekst në këto orë të vona, po më vie të qeshë duke i paramenduar thashemexhinjtë e sotëm me ato zile mbi kokë duke ecur qytetit. Do bëhej hataja  nga zhurma e s’do mund të flinte gjumë askush. Po të aplikohej sot ky dënim i çuditshëm  që dikur kishte të bënte kryesisht me gratë, jam i sigurtë se në të shumtën e rasteve burrat  do ishin ata të cilëve do ua prangosnin gjuhët dhe do ua vendosnin zilet mbi kokë. Por, lum e shyqyr për thashethemexhinjtë modernë, thashethemet sot nuk sanksionohen, biles edhe mbrohen shumë shpeshë duke ua veshur petkun e mendimit dhe fjalës së lirë.Hej zaman, zaman.

Por, të drejtosh  pallavrat dhe fjalët boshe është  punë Sizifi.Kjo, sepse vitet e fundit të jetesës tonë, në planin mental i kthyen  mbrapshtë akrepat e orës duke e rënuar në tërësi sistemin e vlerave  dhe duke krijuar  idhuj e modele të rrejshme e të gabuara.Të kërkuarit e lumturisë dhe kuptimit të jetës filloi t’i gjasojë një tikete llotarie e bastoreje.  Mjerisht,në një ambient kësisioji,  të trashëguar nga një politikë vetëshkatëruese,Maqedonia po i bën shpurthjet e para për të ndryshuar kahet e zhvillimit dhe progresit të vetë dhe të njerëzve që po jetojnë këtu dhe ëndërat po i shohin tjetërkund.

Për fat,sot, për dallim nga dje,duket se po përfundon rrëfimi bizar për Maqedonoidët si nismëtarë të racës së bardhë.Po zhbëhet përalla për Maqedoninë si djep i civilizimit antik dhe për Maqedonasit si pasardhës dhe trashëgimtarë ekskluzivë të Lekës të Madh dhe të perandorisë së tijë. Kuajtë e luanët prej bronxi, shpatat e shtizat, përmendoret e turlifarë sojsëzi dhe ndërtesat prej stiropori që po vërshohen nga disa pika shiu po konceptohen gjithnjë e më shumë si një Diznilend i variantit horror dhe prodhim i një mendësie që nuk ishte fortë “tamam”.

Sëkëndejmi, histerizimi i opinionit të cilin po tentojnë t’a bëjnë disa eksponentë të regjimit të kaluar përmes ndjelljes së frikës nga Ligji për gjuhët , nga shqipja dhe përhapja e sajë, është vetëm një jashtëqitje e do figurave të strukura nën ombrellën e shovenizmit kulturor maqedonas. “Superioriteti” maqedonas ndaj të tjerëve(në këtë rast ndaj shqiptarëve)paraqet vetëm një fluskë sapuni, siç ishte një fluskë edhe përalla për antikitetin. Kjo fluskë është pjesë e thashethemnajave “politike”që tentojnë të krijojnë atmosferë të nderë përpara hyrjes në fazën përfundimtare për zgjidhjen e problemit të emrit të shtetit. Në Skocinë dhe Anglinë e Mesjetës, përhapësve të tezave të këtilla, jam I sigurtë, do ju venin dry në gojë dhe zile mbi kokë.

Sidoqoftë, pas viteve turbulente që i kaloi Maqedonia  e në të cilat injektoheshin  doza të fuqishme të patriotizëmit bosh në të cilin horrat kërkonin strehë sepse tjetër nuk kishin,një tjetër epokë dhe një tjetër mundësi po shfaqet në horizont. Nëse deri dje orientimet euroatlantike përdoreshin vetëm për të fituar pika politike nëpër fushata dhe në takime me ndërkombëtarët, sot orientimi eurotlantik po fillon të nënkuptohet si top prioritet dhe patriotizëm kulminant.Dhe, kjo po ju bëhet e qartë gjithnjë e më shumë edhe shqiptarëve, edhe maqedonasve.

Një Maqedoni e kyçur në NATO dhe UE nënkupton një Maqedoni me konteste të mbyllura të mbrendshme e të jashtme,  një shoqëri në të cilën barazia, mirëkuptimi dhe toleranca do konsiderohen si çështje ekzistenciale dhe jo të imponuara,një shtet me kufinjë të hapur ndaj Prishtinës e Athinës, Tiranës e Sofjes, një vend që nuk do e viktimizojë ardhmërinë e rinisë së vetë për shkak të një prapashtese që, në fakt, kursesi nuk e rrezikon as dinjitetin e as dinjitetin e dikujtë.

Jam i sigurtë se Maqedonia që aktualisht gjendet në udhëkryq, do e qëllojë rrugën e drejtë nëpër të cilën do  vazhdojë të ecë. Tezat  se “shteti do të shpërbëhet nëse ndryshon emrin dhe do përvetësohet nga fqinjtë”, se “ndryshimi i emrit është një veprim konspirativ i sponzorizuar nga muslimanët për të depërtuar më lehtë në Ballkan e Evropë”, se “lufta deri në shfarosje është e pashmangshme” , janë një budallaki e llojit të vetë. Ato janë “teza” të thashemexhinjëve, të njerëzve me zile mbi kokë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP