Kim Jong-un fton presidentin e Koresë së Jugut në Seul

Presidenti koreano-jugor Moon Jae-in është ftuar të vizitojë Korenë e Veriut, me ftesë zyrtare nga lideri i vendit Kim Jong-un.

Lajmi bëhet i ditur nga një zëdhënës i Shtëpisë Blu, ku presidenti Moon është takuar me delegacionin e ardhur nga Koreja e Veriut, mes tyre edhe motra e liderit Kim. Ka qenë pikërisht Kim Yo-jong ajo që ka prezantuar ftesën për kreun koreano-jugor të shtetit, transmeton Telegrafi.

Nga pamjet filmike të publikuara prej këtij takimi, është vënë re se motra e vogël e Kim mbante një dosje blu në dorë, gjë që shtoi spekulimet në mediat koreano-jugore për një letër personale të dërguar nga vëllai i saj për presidentin Moon.

Takimi i zhvilluar në pallatin presidencial në Seul konsiderohet si përballja më e rëndësishme diplomatike mes dy vendeve. Pjesëmarrës ishte edhe lideri ceremonial Kim Yong-nam, i konsideruar si kreu i delegacionit të ardhur nga Veriu. Palët gjithashtu u përshëndetën edhe gjatë ceremonisë hapëse të Olimpiadës Dimërore, teksa presidenti Moon shtrëngoi duart me Kim Yo-jong në dy raste, kur Koretë marshuan nën një flamur të përbashkët.

Por duket se kjo shkrirje e akujve mes dy Koreve nuk është reflektuar në Uashington. Zv/presidenti amerikan Mike Pence, i ulur vetëm disa vende larg zyrtarëve koreanë, e mirëpriti skenën e takimit me një pamje të ftohtë. Madje raportohet se ai dhe zyrtarët veriorë nuk janë përshëndetur me njëri-tjetrin në asnjë moment.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button