Me humbjen e gazetarit Agim Binaku po ik një pjesë e vlefshme e gazetarisë

Me rastin e vdekjes së gazetarit dhe zëvendësdrejtorit të programit informativ të RTV 21, Agim Binakut, sot në Sheshin 21, u mbajt mbledhje komemorative.

Drejtoresha gjenerale e RTV21, Afërdita Saraçini- Kelmendi, mes lotësh Binakun e cilësoi si anëtar të familjes së saj dhe si mikun më të afërt.

“Agimi ishte pjesë e pandashme e hidhërimeve tona, e gëzimeve tona qoftë familjare, qoftë profesionale. Unë nuk do të mund të flas më tepër për shkak se po shqetësohem shumë se po ndahem nga miku, nga shoku nga gjenerata ime, nga ai i cili shumë i solli jo vetëm Kosovës në aspektin profesional dhe njerëzor por na solli edhe neve. Agimit i falënderohem për miqësinë, i falënderohem për gjitha ato që na i dhuroi gjatë jetës së tij, ndërkohë që i them lamtumirë dhe u pafshim përtej”, përfundoi Saraçini- Kelmendi.

Me sy të përlotur për Binakun foli edhe drejtori i Programit Kulturo-artistik të RTV 21, njëherësh edhe miku i tij qysh nga fëmijëria, Florin Kelmendi.

Ai tha se me ikjen e Agim Binakut po ik një pjesë e vlefshme e historisë së gazetarisë shqiptare.

“Agimi miku e kolegu im na mashtroi shpejt e shpejt e keq e iku. Me Agimin iku një gazetar shumë i përkushtuar i sportit një pjesë shumë e vlefshme e historisë së gazetarisë shqiptare, po na ik një kronist i shkëlqyeshëm i zhvillimit të gazetarisë sportive dhe i historisë së sportit jo vetëm të shqiptar, po na ik një veprimtar i vlefshëm i sportit”, tha Kelmendi.

Ai shtoi se me Binakun ishte emocionalisht i lidhur edhe si shok të fëmijërisë që e kishte, dhe si bashkëvendas.

E cilësoi si një kronist të papërsëritshëm të një pjesë të historisë së Pejës.

“Na mbeti zhig që nuk mund ta realizonim një ëndërr që e kishim e për të cilën bisedonim gjatë që së bashku t’i hynim bjeshkëve dhe veçantive të vendeve e njerëzve që jetojnë në troje tona shqiptare… Agimi u preftë në paqe! Faleminderit Agim!”, përfundoi Kelmendi.

Fjalë rasti pati edhe drejtori i Departamentit të Informimit të RTV 21, Eugen Saraçini.

Ai tha se do të jetë e vështirë pa Agim Binakun.

Kujtoi momente kur pinin kafen e mëngjesit.

“Unë jam shumë i lumtur që e kam pasur shumë shok të mirë, mik të mirë dhe koleg të jashtëzakonshëm Agim Binakun.”, përfundoi ai. N

dërsa në emër të familjes së Agim Binakut foli djali i tij, Leart Binaku.

Ai falënderoi të gjithë për ngushëllime.

“Ai ishte i yni si familje, por jo më pak ishte i gazetarisë sportive dhe i gjithë Kosovës. Prandaj me këtë rast falënderojmë të gjithë shokët, miqtë, kolegët familjarët si dhe shtëpinë tonë të dytë Radiotelevizionin 21 që ishit pranë me ne në çdo çast. Faleminderit.”, përfundoi Leart Binaku.

Në fund u dha edhe një storje dedikuar jetës së Agim Binaku.

Binaku do të varroset sot në orën 12: 00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Agim Binaku vdiq në moshën 62 vjeçare pas një sëmundje të shkurtër./

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button