Kushtetuesja pa vetting: PS-PD, vullnet për plotësuar vendet vakante

Në një intervistë për Top Channel, kryetari i Gjykatës Kushtetuese kërkonte një zgjidhje për ngërçin ku ndodhet gjykata, të cilës i mungojnë sot 4 anëtarë nga 9 që ka gjithsej.

Ky alarm nuk ra në vesh të shurdhër. Presidenti Ilir Meta hapi garën për dy vende vakante që i takojnë Presidencës.

Të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe Kuvendi. Burime të sigurta nga Partia Socialiste i thanë Top Channel se javën tjetër do të ndërmerren hapa konkretë për fillimin e procedurës për anëtarët që i takojnë Parlamentit, në mënyrë që Gjykata Kushtetuese të mos bllokohet.

Mirëpo, me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë vetting-un.

Burimet nga grupi socialist i thanë Top Channel se janë gati të pranojnë përkohësisht gjyqtarë pa vetting, por qëndrimi i tyre përfundimtar në Gjykatën Kushtetuese do të varet nga rezultatet e kontrollit.

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me shumicë të cilësuar dhe vullnetin për të mos e lënë Gjykatën Kushtetuese të bjerë në kolaps e kanë shprehur edhe demokratët. Konsensus ose jo, kjo do të përcaktohet nga emrat e kandidatëve që do të renditen nga këshilli i emërimeve në drejtësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button