GJUHA SHQIPE NË KINË

Tradita e studimit të Gjuhës shqipe në Kinë është relativisht e gjatë. Ajo zë fill në kohën kur shteti shqiptar dhe ai kinez lidhën miqësinë që zgjati pothuajse 20 vite (1960-1978).

Gjatë viteve të raporteve të mira ndërmjet dy shteteve, Kina e madhe e ndihmoi shtetin shqiptar dhe pati ndikim në shumë fusha të jetës, që nga ekonomia dhe ushtria e gjer te kultura. Asokohe, studentë dhe kuadro shqiptare u shkolluan dhe specializuan në Kinë, kurse Shqipëria gjithashtu u mbush me ekspertë kinezë të fushave të ndryshme. Nuk munguan as kinezët e rinj që erdhën në Tiranë për të studiuar Gjuhën dhe letërsinë shqipe. Më pas, kjo rezultoi me hapjen e Katedrës së Gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, që, pas një ndërprerjeje dy dekadëshe, rifilloi punën në vitet e nëntëdhjeta.

Sot në këtë katedër ligjërojnë profesorë dhe albanologë të shquar kinezë, të ndihmuar kohë pas kohe prej kuadrosh të shquar shqiptarë, si akademik Shaban Sinani e ndonjë tjetër, të cilët ndihmojnë edhe mentorimin e temave të doktoraturës.

E veçanta e kësaj katedre është se të gjithë studentët kinezë, që nga fillimi i studimeve, zgjedhin si emra të dytë nga një emër të bukur shqip. Këtë traditë interesante ata e trashëgojnë nga mësimdhënëset/it e tyre (Gjina, Mimoza, Shqiponja…) për t’u lidhur sa më ngusht me kombin dhe gjuhën kulturën e të cilit e studiojnë.

Meritë të veçantë për ngjalljen e interesimit dhe ngritjen e cilësisë së studimeve të Gjuhës shqipe në Kinë ka profesoresha Ke Jing (me emrin shqip Gjina), që ka drejtuar vite me radhë katedrën e Albanologjikut në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare në Pekin.

Përndryshe, Gjina është studiuese, albanologe dhe ballkanologe e mirënjohur, që, në vitet e tetëdhjeta ka kryer studimet në Universitetin e Prishtinës. Më pas ajo ka frekuentuar shpesh dy kryeqendrat shqiptare dhe ka thelluar dijet mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën tonë përgjithësisht.

Gjina ka mbrojtur në SHBA disertacionin e doktoraturës me studimin monografik “Katër të tjerë në veprën e Kadaresë”, në të cilin ka hedhur teza interesante mbi identitetin historik dhe kulturor të shqiptarëve, të parë nëpërmjet veprës së shkrtimtarit më të njohur shqiptar Ismail Kadaresë.

Aktualisht ajo është drejtoreshë e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë në Universitetin e Bejingut, ku ka inkurajuar studimet albanologjike me nismën Shqip plus, duke i dhënë shqipes statusin e çelësit për gjuhët tjera ballkanike.

Nën përkujdesin e profesoreshës Gjina ka nisur dhe përkthimi në kinezisht i veprave të autorëve të shquar shqiptarë… Meritë e saj është dhe përgatitja dhe botimi i veprës shumë domethënëse për imazhin e kulturës sonë – Fjalori Shqip – Kinezisht dhe Kinezish – Shqip, me mbi 40.000 fjalë.

Para pak ditësh, albanologja Gjina, në shoqëri të dy akademikëve dhe studiuesve shqiptarë – Floresha Dados dhe Shaban Sinanit, vizitoi Katedrën e Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Tetovës, ku, përpara stafit mësimdhënës dhe studentëve, mbajti ligjëratën “Strudimet albanologjike në Kinë”. Një ditë më pas, ajo mbajti një ligjëratë edhe në Katedrën e Gjuhës shqipe të Universitetit Kirili dhe Metodi në Shkup, me temën: “Identiteti shqiptar përballë Tjetrit në veprën e Kadaresë”.

Vlen të theksohet se ligjëratat e saj të mbajtura në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Shkup…, kanë zgjuar interesim të veçantë në qarqet akademike, duke ndikuar në avancimin e studimeve letrare shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button