Azeski propozon marrëveshje për shmangie të tatimit të dyfishtë me Greqinë

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, ka dërguar letër deri te kryetari i Unionit të Odavre greke të Tregtisë dhe Industrisë, Konstantinos Mihallo, ku ka propozuar përsëri të intensifikohen aktivitetet për nënshkrimin e marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë midis Maqedonisë dhe Greqisë.

“Ekonomia është ajo e cila gjithmonë ndërton ura midis vendeve, shembulli për Maqedoninë dhe Greqinë, më së miri e tregon atë. Biznesi ishte ai i cili vitet e kaluara pa ndërprerë ka mbajtur bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve, madje edhe kur proceset politike ngecnin”, theksohet në letrën e Azeskit, transmeton MIA. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë theksoi se kompanitë nga të dy vendet bashkëpunojnë për çdo ditë, realizojnë investime dhe projekte të përbashkëta, duke theksuar se vëllimi i këmbimit midis Maqedonisë dhe Greqisë është në rritje të vazhdueshme, siç tregojnë edhe të dhënat, sipas të cilave në vitin 2017, vlera e përgjithshme ka qenë 180,04 milionë euro, me rritje prej rreth 21,9 për qind në krahasim me vitin 2016.

“Duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjen infrastrukturore, por dhe lidhjet e krijuara të biznesit midis kompanive të të dy vendeve, potencialet për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik ende nuk janë shfrytëzuar maksimalisht”, konstaton Azeski.

Thekson se për këtë qëllim nevojitet që Maqedonia dhe Greqia duhet të nënshkruajnë më shumë marrëveshje bilaterale, duke përfshirë dhe marrëveshjen për shmangien e tatimit të dyfishtë, për bashkëpunim tregtar dhe doganor, si dhe marrëveshje për udhëtime të përbashkëta mes qytetarëve.

“Kompanitë tona bashkërisht mund të arrijnë shumë. Ato mund të jenë faktor kyç për arritjen e nivelit të dëshirueshëm të rritjes dhe zhvillimit ekonomik të dy vendeve, por që kjo të ndodhë, biznesit nevojitet t’i sigurohen kushte të nevojshme”, theksoi kryetari i Odës Ekonomike.

Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Unioni i Odave greke të Tregtisë dhe Industrisë që nga viti 2007 para organeve kompetente kanë ngritur çështjen për nënshkrimin e Marrëveshjes për shmangien e tatimit të dyfishtë, por përpjekjet e deritanishme nuk kanë qenë të suksesshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button