Strategji që na thotë ta kapim ditën

Unioni Evropian publikoi Strategjinë për Zgjerim. Lajmi i mirë është që në këtë dokument qartazi tregohet vullneti i UE-së për zgjerim të mëtejshëm në Ballkanin Perëndimor. Kjo ka shumë rëndësi duke pasur parasysh problemin e euro-skepticizmit dhe mosgatishmërinë e shumë shteteve dhe qytetarëve të UE-së për zgjerim. Të kuptojmë një gjë, për të gjithë zyrtarët e Komisionit Evropian çdo vit bëhet më e vështirë t’i bindin qeveritë dhe qytetarët e vendeve të UE-së se Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e këtij Unioni. Pse? E dimë edhe vetë.

Ne jemi vende ku lulëzon korrupsioni i lartë, ku për dekada me radhë mbisundon mungesa e përgjegjësisë penale për kriminalitet. Veç asaj, jemi vende që kemi mbetur në të kaluarën e largët sa i përket qasjes ndaj multikulturalizmit, jemi vende ku ende lufta ndëretnike është maramendshëm e rrezikshme, ku ende vokabulari shovinist dhe racist është pjesë e kurikulumit të intelektualëve të shquar të vendit, që në fakt është jo vetëm e dhimbshme por edhe e dëmshme për këto shtete. Mbi të gjitha, jemi vende që kemi ende gjëra të parregulluara deri në fund me fqinjët, ndërsa politika e fqinjësisë së mire është kruciale për UE-në.

Kur ta shikojmë me këtë sy, duhet të jemi falënderues që UE nuk heq dorë nga zgjerimi tek ne, por përkundrazi, na ofron këshilla për hapa konkrete, që gati sa nuk na i vizaton, që ti kuptojmë më mirë, e të cilat do të na drejtojnë drejt qëllimit final në një afat të arsyeshëm kohor. Gjëja më e rëndësishme që kjo Strategji u thotë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është që nuk heq dorë nga këto vende, dhe i mirëpret që një ditë të bëhen anëtare të plota të BE-së.

Për Maqedoninë kjo Strategji përsërit edhe një herë atë që thuhet gati një vit. Qartazi lexohet mesazhi: Maqedoni, Carpe Diem – Kape Ditën! Është e saktë, nuk përmendet viti konkret 2025, si që është rasti me dy vendet tjera në Ballkan, Serbinë dhe Malin e Zi, por duhet ta kuptojmë, që kur vihet në fazën kur kanë filluar Bisedimet për Aderim në UE, punët janë më të qarta dhe afatet janë më konkrete.

Neve ende luftojmë që të marrim një Rekomandim të pakushtëzuar për t’i hapur ato Bisedime. Ende nuk e kemi marë Raportin e Progresit për këtë vit, ndërsa raporti i fundit na ka quajtur “shtet të kapur” dhe na ka vendosur rekomandim të kushtëzuar sepse nuk donim të meremi me korrupsionin e lartë dhe me çështjet kryesore që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Të mos harrojmë se prej ku nisemi dhe sa punë kemi për të bërë.

Strategjia thotë një gjë shumë të rëndësishme të cilën ia referon në mënyrë diplomatike pikërisht Maqedonisë. Thotë që në UE vendet pranohen pasi t’i kenë zgjidhur çështjet e hapura bilaterale me fqinjët. Kjo do të thotë që pa zgjedhjen e kontestit të emrit me Greqinë, Maqedonia nuk mund të shpresojë për integrim në UE. E thënë qartazi dhe hapur, po aq hapur si kur e tha Sekretari Gjeneral i NATO-s Stoltenberg në Shkup.

Është mire ta kuptojmë një herë e mirë këtë gjë dhe të mos jemi patetikë e emocionalë në vazhdimësi. Kjo është koha e vendimeve të arsyeshme dhe jo emocionale. Kjo është koha që Mogerini e quan sfidë gjenerate e cila mund të ndodhë dhe të cilën qytetarët e presin. Është shumë me rëndësi të kuptohet kjo sfidë nga të gjithë politikbërësit në vend, por edhe nga të gjithë qytetarët.

Mogerini thotë edhe një gjë tjetër, që për çështjet e integrimit në UE dhe për zgjedhjen paraprake të kontesteve bilaterale, duhet siguruar konsensus sa më i gjerë tek qytetarët e shtetit. Kjo do të thotë që për këto vendime, politikanët dhe qytetarët duhet të jenë jo vetëm të arsyeshëm por edhe të përmbajtur, proaktivë dhe jo reaktivë. Zgjidhjet duhen gjetur, dhe ato duhen pranuar nga të gjitha anët.

Ajo që ndodh në Maqedoni është që Qeveria dhe Kryeministri kanë një sjellje proaktive dhe të vendosur për të zgjidhur kontestin më të rendë ndërkombëtar në historinë e këtij vendi, ndërsa në masën e gjerë, njerëz që e quajnë veten intelektualë vazhdojnë të përhapin histeri se gjoja do i humbeshka identiteti një populli që mban një emër të caktuar. Mendoj që ky është problemi kryesor me vendin tonë sa i përket kësaj çështjeje, që një pjesë e konsiderueshme e elitës intelektuale nuk e kupton atë që Mogerini e quan sfidë gjenerate.

Nuk e kupton që gjeneratat e reja janë lodhur më me shqetësimet që nuk sosen lidhur me emrin, identitetin, gjuhën, marrëdhëniet ndëretnike. Janë lodhur nga fakti që këto tema për më se 30 vite na kanë ngujuar në një vend dhe nuk na lënë të shkojmë para. Janë lodhur nga kjo status quo që assesi t’i zgjedhë problemet e përditshme të qytetarëve. Dhe janë të gatshëm për të bërë ndryshimet e duhura për të ecur para.

Prandaj, në një realitet të tillë, ku Greqia nuk humb asgjë po nuk u zgjodh konteksti ndërsa ne humbim gjithçka, duhet të jemi racionalë dhe jo histerikë, duhet të veprojmë me arsye dhe ta kapim ditën. Kjo është dita që duhet kapur, ky është viti vendimtar. Përndryshe, për shumë vite me radhë do të mbesim në harresën e atij Unioni ku që tani ka shumë njerëz që nuk duan të na shohin aty.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button