PARTIA MBI GJITHÇKA

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Zhan Zhak Ruso tha se liria nuk është ajo kur njeriu e bën atë që dëshiron, por kur ai nuk e bën atë që nuk e dëshiron.

Kjo thënie e thjeshtë e shpreh thelbin e lirisë qytetare dhe sikur na e përshkruan gjendjen e shoqërisë sonë, ku njerëzit, pasi nuk mund ta bëjnë atë që dëshirojnë, e humbin vullnetin e tyre të lirë; e humbin të drejtën për të qenë disident, që sipas Konradit, është vlerë e lirisë dhe demokracisë.

Në sisteme të këtilla humbet qytetari, sepse ai shndërrohet në makinë votuese.

Ai detyrohet që të votojë për parti politike, edhe kur nuk dëshiron që të votojë.

Ai detyrohet që të bëhet anëtar partie edhe kur nuk dëshiron të ketë teserë partiake.

Ai e thotë atë që nuk e mendon, sepse nuk mund ta thotë atë që e mendon.

Ai e luan këtë lojë mbijetese duke u shtirur, duke “bërë sikur”, duke u bërë hipokrit, sepse Partia është mbi gjithçka dhe vendos për gjithçka.

Partia përgjon, shantazhon, disiplinon.

Partia bëhet Shtet dhe Shteti bëhet Parti.

Liria bëhet nocion abstrakt, bëhet liri gaforreje, sikurse thotë Migjeni.

Ata që nuk mendojnë si Partia izolohen, sepse vlen formula: një mollë e kalbur i kalb edhe mollët e mira, kurse “mollët e mira” bëjnë atë që e thotë Prijësi i dashur, i cili  ka të drejtë edhe kur ja fut kot.

Kështu, dalëngadalë, gjithçka i nënshtrohet Partisë.

Sytë e Partisë jemi Ne.

Veshët e saj jemi Ne.

Goja e saj jemi Ne.

Ne mendojmë si na mëson Partia.

Ne flasim si na thotë Partia.

Ne veprojmë si na drejton Partia.

Ne jemi Partia dhe Partia është Ne.

Ne më nuk jemi Unë.

Partia është Shpirti dhe Zemra jonë.

Partia është e fortë, sepse e mbledh fuqinë tonë.

Ne themi atë që mendojmë, por mendja jonë i përket Partisë.

Ne shohim me sytë tanë, por sytë tanë i përkasin Partisë.

Partia është brenda dhe jashtë nesh.

Partia është ku(r)do.

Pa Partinë jemi askushi.

Partia na gjen punë dhe ne punojmë për Partinë.

Ajo na jep poste dhe ne i vëmë në shërbim të saj.

Partia na jep shkollë dhe ne i edukojmë brezat në frymën e Partisë.

Ne jemi ushtarët e saj.

Ne jemi ashtu siç na do Partia…

Dhe kemi qejf të mburremi se jemi kundër totalitarizmit, absolutizmit, autokratizmit, hipokrizisë.

Dhe kemi qejf të mburremi se jemi qenie të lira.

Dhe kemi qejf të mburremi se jemi elita intelektuale e nuk jemi veçse elita partiake, shtetërore.

Dhe kemi qejf ta theksojmë atë që nuk e kemi.

Kështu nuk i mashtrojmë vetëm të tjerët, por edhe vetveten.

Me kalimin e kohës i besojmë gënjeshtrës sonë…

Dhe sërish flasim për sinqeritet…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP