Tensioni diplomatik Turqi-Holandë arrin kulmin

Holanda ka tërhequr zyrtarisht ambasadorin e saj në Turqi, e ka njoftuar se asnjë ambasador i ri turk nuk do të pranohet në Hagë.

Vendimi shënon kulmin e një mosmarrëveshjeje që nisi kur holandezët ndaluan ministrat turq të bënin fushatë me emigrantët turq në Holandë, në vitin 2017. Diplomatit holandez nuk i është lejuar hyrja në Turqi që prej muajit mars, transmeton Top Channel. 

Ministria e Jashtme e Holandës njoftoi gjithashtu se ka “ndërprerë” bisedimet për zgjidhjen e problemeve me Turqinë.

“Nuk kemi rënë dakord mbi mënyrën sesi të normalizojmë marrëdhëniet tona”, tha ministri i Jashtëm, Halbe Zijlsra, në një deklaratë.

Dy vendet aleate të NATO-s patën fillimisht përplasje për shkak të vendimit të Holandës për t’u ndaluar hyrjen zyrtarëve turq, të cilët donin të zhvillonin mitingje elektorale përpara referendumit në Turqi mbi zgjerimin e pushtetit të presidentit Erdogan.

Një ministër mbërriti me automjet nga Gjermania për të marrë pjesë në një miting në Rotterdam, në shkelje të plotë të urdhrit ndalues, por policia e shoqëroi atë deri në deportim. Menjëherë pas kësaj, forca të shumta policore u dërguan në qytet për të shpërndarë demonstruesit e irrituar turq me nënshtetësi holandeze.

Asokohe, votuesit holandezë pritej të shkonin në votim për zgjedhjet e përgjithshme dhe kryeministri Mark Rutte citoi shqetësimet mbi sigurinë përpara votimit, për të justifikuar vendimmarrjen e tij.

Përplasje të ngjashme janë shënuar edhe në vende të tjera të Europës, ku zyrtarëve turq iu ndalua të zhvillonin mitingje me bashkëkombasit e tyre, si në Gjermani, Austri dhe Zvicër. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u kundërpërgjigj i irrituar, duke thënë se “nazizmi është ende i përhapur në Perëndim”.

Pas vendimit të qeverisë holandeze, homologia turke ndaloi ambasadorin e Holandës – i cili ishte me pushime asokohe, – të rikthehej në Ankara.

Kriza e paprecedentë diplomatike bëri gjithashtu që Ministria e Jashtme holandeze të lëshonte mesazhe paralajmërimi për udhëtimet gjatë vitit të kaluar, duke nxitur shtetasit e vet në Turqi të kishin parasysh “tensionet diplomatike” mes dy vendeve. Holanda, mes të tjerash është edhe investitori më i madh i huaj në Turqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button