Bushati: Marrëveshja me Greqinë do të jetë e drejtë dhe e zbatueshme

Dialogu me Greqinë dhe marrëveshjet e pritshme ishin në fokus të interpelancës së kërkuar përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al nga një grup studentësh me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushat.

Ministri Bushati bëri të ditur se marrëveshje me Greqinë për regjimin kufitar, e njohur si marrëveshja për detin, do të jetë e bazuar në vijat e kuqe që ne kemi hequr, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare, legjislacionin e brendshëm apo praktikën ndërkombëtare.

Bushati mohoi çdo lloj presioni për tu ulur në bisedimi, ardhur nga kushdo palë, për shkak të çeljes së negociatave në kuadër të integrimit europian.

“Shqipëria dhe Greqia janë anëtare të OKB-së, palë e Konventës së Detit, ç’ka do të thotë se për të dy vendet burojnë disa të drejta e detyrime nga e drejta ndërkombëtare dhe këto të drejta e detyrime nuk mund të jenë fakultative as për ne as për Greqinë”, theksoi ministri.

Nga diskutimet paraprake, garantoi kryediplomati Bushati, marrëveshja e re me Greqinë do të jetë më e favorshme se ajo e 2009-s. Marrëveshja e arritur në 2009 nga qeveria ‘Berisha’, bëri të ditur ministri Bushati kishte gabime trashanike në thelb dhe në procedurë.

“Do të jetë marrëveshje e drejtë, e ndershme dhe e zbatueshme, sepse nevojitet të kemi një marrëveshje të drejtë në mënyrë që të dy palët të dalin nga procesi i bisedimeve me ndjesinë që kanë marrë atë që i takon”, u shpreh ministri. Çdo diskutim tjetër, tha ai, është shpifje ose mungesë informacioni.

“Të dy vendet kanë kuptuar që duhet pasur një marrëveshje të zbatueshme në praktikë”, theksoi ai.

Ndërkohë, Qeveria shqiptare pret që brenda 6-mujorit të parë të këtij viti Greqia të shfuqizojë Ligjin e Luftës. Ministri Bushati sqaroi se kërkesa jonë për shfuqizimin e ligjit të Luftës nuk lidhet me të ndjerit të kërcënuar, pasi jemi vende anëtare të NATO-s, por nga ana tjetër tha ai, gjendja e luftës ekziston.

“Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë kanë pretenduar se nuk ekziston një ligj lufte, por në vitin 1999 është vet shteti grek që i konfirmon ambasadës së Shqipërisë në Athinë ekzistencën e dekretit mbretëror. Po ashtu, janë disa raste të qytetarëve shqiptarë që kanë tentuar të fitojnë të drejtën e pronës dhe për shkak të kësaj pengese nuk ja kanë dalë dot”, bëri të ditur ministri Bushati.

“Ne kemi kërkuar që ligji i luftës apo dekreti mbretëror që sanksionoi gjendjen e luftës me Shqipërinë dhe që vuri nën sekuestro një pjesë të mirë të pronave të shtetit shqiptar, qytetarëve shqiptarë dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi greke të shfuqizohet me një akt po të një vlefshëm”, deklaroi Bushati.

Ne, vijoi ministri, kemi kërkuar që këtyre tre kategorive t’u jepet e drejta për t’ju drejtuar instancave greke për të gëzuar të drejtën e pronësisë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, transmeton ATSH, bëri të ditur gjithashtu se me Greqinë po punohet për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, si dhe njohjen e kontributeve për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button