GJIZA, PJEPRI DHE PARAJSA

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti

Kisha ardhur në kurbet me disa rroba rrasur në një çantë sportive dhe me një dyzinë poezi në zemër. Dukej qartë se do të nisesha në një rrugë të gjatë. Isha i gatshëm për një udhëtim që do ta kishte çmimin të madh. Kisha pak para dhe shumë guxim. Isha si një djalosh i çartur në udhëkryqet e fatit.” Kështu një autor i huaj e përshkruan vetëveten që kishte marrë udhën e largimit nga vendlindja, të kërkimit të nafakës tjetërkund, të përballjes me një hapësirë dhe kohë tjetër, me një kontekst social tjetër, me shtresime të reja jete, me plot të panjohura. Kishte dalur nga pragu me shpresën se bëhet më mirë, duke i thënë vetes “avancohem, përparoj, pasurohem dhe një ditë kthehem atje ‘ku më njeh dhe gurit i thatë’, ku do ta vë pikën mbi i-në e rendit të jetës. Por, këtë dhe shumë të tjerë si personazhi ynë kushedi ku i ka çuar fati, kushedi çfarë gjendjesh të përbrendshme ua kanë kapluar qenësinë! Ndodh që personat si ai të jenë bërë “të mëdhenj”, me status e famë, por shumë syresh sot e këtë ditë digjen e përvëlohen për çerdhen e vet, ndoshta janë tretur në dhé të huaj. Ndoshta çantën e ka hedhur, por poezitë i janë zbehur në fletoren e zverdhur të kujtesës.

Një ditë dimërore e vitit që shkoi. Në hyrje të çarshisë, aty ku kufizohen dy Shkupët, “yni e mjerë dhe i tyre me ‘barok XXI’”, para universitetit, takoj gazetarin që plot ngarkesë detyrimesh hapëron shpejt dhe rastësisht më vëren, me buzëgaz ndalet, përshëndetemi. E ngacmoj duke e pyetur se kur kishte rënë kaq shpejt nga Mali i Thatë në shehër. Në fotot e “fletores së fytyrave” (FB), ditë më parë, dukej duke ecur shkurrave kodrinore, bjeshkatar fare. Ahaha, tha. Po, vërtet. Dje isha me një mik nga Zvicra që kishte ardhur vetëm për një ditë. Që andej, nga Alpet, që s’iu kishin pëlqyer më shumë se Zhedeni, më porositi gjizë e bukë të nxehtë dhe dalje në malin e fëmijëri-rinisë. “Bukë të nxehtë e gjizë ashtu sikur nëna ima ma jepte në dorë ose ma vinte në janxhik dikur.” Kjo ishte e tëra. Më hutoi: për një ditë, vetëm për “gjizë e bukë si dikur”, njeriu të vijë nga rreth dymijë kilometra në Maqedoni. Ky është ai momenti që të bën të zhbirosh problemet detrimentale të largimit nga vatani. Wizzairi, ia mundësoi që shkurt të bëhej vetja, të kthehej në të kaluarën për një ditë apo çast.

Ky rast m’i kujtoi ditët studentore kur në lagjen me shumë shqiptarë të Esenlerit (Stamboll) një kopanicas i dikurshëm, ditën para se të nisesha për në vendlindje m’i tha disa fjalë që për mua atëbotë ishin pa peshë, por kur u ndala pak të mendoj rrugës në autobus, dolën shumë kuptimplota. “Do shkosh në Vele Pole?” Jo. – ia ktheva. Menjëherë u esëllova dhe me po, po – iu përgjigja. “Eh – vazhdoi – të dalësh për mua atje, ta marrësh një kaun pa rapa (pa vijëza), tullac, më jocilësorin, më të keqin, pa kurrfarë shijeje, të cilit s’i ngjitet askush dhe ta hash për mua, së paku një dilim, të lutem.” “Do më duket sikur e kam ngrënë unë. Do më bësh nder të madh, nuk do ta harroj kurrën e kurrës, sa të jem gjallë.” Eh, kjo është nostalgjia, të jetosh me dekada larg dhe sërish të bashkëjetosh në mënyrë ëndërrimtare me gjurmët, hapat, përrockat, arat, pemët, frutat e vendlindjes. Ky është fakti se dukuria sociologjike e mobilitetit social horizontal jo gjithherë shpie në lumturi, se shtrati i huaj kurrë s’të bëhet yti. Ku është Vele Polja e ku Esenleri! Disa dekada të kaluara në turqni dhe sërish tok me kujtimet dhe jetën në tokën e etërve.

Në ndërlidhje me shënimet më sipër, rasti i tretë. Kafe me mikun tim të ditëve të shkollës së mesme që jeton në Kanada. Flasim për politikën globale, Trumpin, Sorosin, “italianët e padisiplinuar në Kanada” dhe tema lokale. Nuk gjen fjalë për të përshkruar çastet e kaluara këtu, në Gazi Babën e Shkupin shqiptar karrakatinë, pa infrastrukturë dhe pa perspektivë Lavdëron jetën këtu sa edhe vetë habitem nëse është ky vendi ku jetoj. Në bisedë e sipër, lidhur me shtëpinë e tij këtu, përdor një shprehje anglisht, It’s such a heavenly feel, është një ndjenjë parajsore, duke ilustruar mjedisin familjar, shoqërinë, çarshinë; sa s’i kanë rrjedhur lotët. Shteti në të cilin jeton është një nga vendet në kulmin e piramidës së mirëqenies në korniza planetare, por shokun s’ka arritur ta bindë se atje është mirë se këtu. Parajsën e imagjinuar sipas rrëfimit të vet s’e ka gjetur atje, në mjedisin e multikulturalizmit të utopizuar, tek dollari, paratë, dinamizmi, demokracia. Ky njeri helikat e gjallërimit autentik dëshiron t’i ndalë në kryeqytetin tonë, nuk thur elozhe për të atjeshmen, edhe avantazhet kanadeze i përmend me zemër të plasur. Do kthehem – thotë, do bëj punën më të thjeshtë këtu. “S’është problem për mua”.

Ta kopsisim temën: Këto tre raste nuk janë tregime të sajuara as fragmente mitologjish, por të vërteta narrative që përshkruajnë tre shqiptarë që fati i ka çuar në tre destinacione, Zvicër, Turqi, Kanada, ku shikuar nga perspektiva jonë, jetojnë më mirë, “ku kanë më shumë siguri”, por që ndërkohë janë në dalldi e dilema. Sipas disave në epokën e globalizimit ndjenja për atdhe dhe patriotizmi janë “përralla për ndeja pas darke”, madje thonë “ku ha bukë dhe fiton lekët ai është vendi yt”. Por ama, me sa duket nuk është bash kështu. Njeriu s’është vetëm qenie fizike, as vetëm ekonomike, ka edhe përmasën e vet ndjesore e spirituale, ka kujtimet, ka rrjetin e interaksionizmit social, që nuk kompensohen me aktorë dhe rrethana çfarëdoqofshin ata. Ikja diku jashtë, në instancë të fundit është “veshje e një këmishe të huaj”. Makthet e migrimit që të rinjtë ende s’i kanë parë janë shumë, pararendësit i kanë provuar, por s’ju beson kush. Andaj, arratisjen duhet menduar qind herë. Ëndrra për kënaqësi jashtë, më vonë të shpie pak dëshpërim, më vonë në më tepër se kaq, në shkarje boshti, shpërngulja jashtë është një aventurë kontradiktore me atë që ta lips thelbi – do kishim thënë ne në frymën e tre personazheve të këtij shkrimi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP