Restorant “Plisi”: Bukë, kripë e zemër

Qëllimi im është të etabloj kuzhinën dhe kulturën shqiptare në mesin e zviceranëve”, thotë Fetah Jusufi, pronar i restorantit ”Plisi” në Dübendorf të Cyrihut, shkruan Albinfo.ch.

Fillimisht është pjata ajo që ta rrëmben shikimin, pastaj aroma që të kënaq dhe pastaj shija. Restorant me karrige të kuqërremta dhe tavolina të zeza, plisi i bardhë në front, dhe muzikë shqipe në një lagje të Cyrihut.

Është Fetah Jusufi që fshihet pas gjithë elementeve që zbuluam pak më parë.

Ai është shefi i restorant “Plisi”. Me një plis të bardhë në kokë afrohet në tavolinën tonë dhe na rrëfen për kuzhinën tradicionale shqiptare që e servon tashmë për tri vite.

“Kuzhina shqiptare është shumë  pasur dhe ne po përpiqemi të sjellim herë pas here edhe ushqime tjera duke e plotësuar menynë ditore me fli, groshë në tavë, speca të mbushura, tavë Elbasani. Herë pas here përgatisin specialitete gjakovare”, rrëfen Jusufi duke treguar për qëllimin e veprimtarisë së restoranti me emrin “Plisi”.

“Qëllimi im është të etabloj kuzhinën dhe kulturën shqiptare në mesin e zviceranëve. Po ashtu të zbus dallimet dhe urrejtjen ndaj nesh nëpërmjet kuzhinës dhe ushqimit që zakonisht i afron njerëzit”, thotë Jusufi.

“Plisin” e frekuentojnë më shumë shqiptarët

Për këto tre vite sa ekziston “Plisi” janë afruar më shumë shqiptarët, po gradualisht po vijnë dhe zviceranët.

“Shumica e klientelës janë shqiptare. Tashmë edhe zviceranët janë mësuar me kuzhinën tonë shqiptare. Janë bërë rezervime dhe për festat e fundvitit nga grupe të ndryshme zviceranësh që vijnë të shijojnë kuzhinën shqiptare», tregon Fetah Jusufi duke treguar për përshtypjet e tyre rreth “Plisit”.

Specialitete nga Gjakova, Opoja dhe Gjirokastra shpesh servohen te “Plisi”.

“Bashkëshortja ime është nga Gjakova, kuzhinierja nga Gjirokastra dhe unë nga Prizreni shpesh bëjmë gara për të sjellë specialitete nga vendet prej nga vijmë”.

Sigurisht, është e pamundur të mos ketë edhe menu me ushqime internacionale, por gjithëherë dominojnë ushqimet shqiptare”.

“Përveç ushqimit të freskët, mikpritjen shqiptare: Bukë, kripë e zemër nuk e gjeni në asnjë restorant. Te ne punohet me zemër, ne servojmë më të mirën që kemi”, pohon Jusufi duke thënë se kështu është rritur tradicionalisht në vendin prej i ka rrënjët.

Ahengjet janë bërë përditshmëri për Fetah Jusufin. Ushqimet e “Plisit” shpesh me porosi janë pjesë e organizimeve të ndryshme nëpër Cyrih.

Postieri i “Plisit” dërgon ushqimet e porositura gjithandej nëpër qytet ndërsa nuk mungojnë as produket nga Kosova.

Përse “Plisi” ?

“Përfundimisht arsyeja përse kam vendosur për këtë emër është se gjyshi im gjithmonë ka bartur plis. Dhe motivi tjetër, nuk ka diçka më shqiptare se sa plisi. Me të na dallojnë si shqiptarë në tërë botën”.

Fillimi edhe te rasti i Fetahut nuk ndryshon shumë nga historitë e tjera përveç faktit se ai është i rritur në Zvicër. Këtu ka nisur punën, fillimisht si kamerier, edhe pse e ka të kryer shkollën për mësues. Një kohë kishte punuar si kontabilist ndërsa vetëm dy vite si mësues.

Nuk ka mësuar për kuzhinë dhe as nuk i ka qëndruar mbrapa dikujt për të mësuar recetat e kulinarisë edhe pse babanë e kishte me profesion kuzhinier.

Babai i Fetahut, tashmë në pension, kishte punuar jo më pak se 38 vjet në Kuzhinën e Universitetit të Cyrihut.

Pasionin e madh për ushqimet dhe pijet e zbuloi vonë. Kështu vijon historia në Dübendorf. Nga njëra pjatë në tjetrën. Puna pa kurrfarë orari. Pasioni, kreativiteti, cilësia dhe teknika e pjatave të tij e bënë pronar të një restoranti shqiptar në Cyrih…

Ia doli mbanë

Fetah Jusufi, pa shkollë e trajnime në kuzhinë, ia doli mbanë. Restoranti u bë i njohur shumë shpejt në Cyrih. Kush e ka vizituar, qoftë dhe për njëherë të vetme restorantin “Plisi” në Dübendorf, e kupton fare mirë se për çfarë e kemi fjalën. Kuzhina shqiptare i ka vlerat: bukë, krypë dhe zemër. Mjafton të dhurojmë pak dashuri!” përfundon Fetah Jusufi nga Opoja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button