(E)misioni zuzar i Vaskos dhe moronët shqipfolës

Në shkurt të vitit 2016 shkrova kolumnën “Të jetosh me Vasko”, shkas i së cilës u bë burlesku i egejasit vasko evtov, që, me ndihmën e pseudohistorianëve albanofobë dhe disa mohuesve të origjinës së tyre shqiptare, u përpoq të dëshmojë se rilindësi i Rekës së Epërme Josif Bageri, poeti që krahinën e lindjes e quajti kërthiza e Shqipënisë, paska qenë maqedonas.

Që atëherë vaskoja ka emetuar dhjetra pamflete televizive të konceptuara për dokumentarë, gjithnjë me teh fyes për shqiptarët, të cilët i quan të egër dhe gjenocidistë, i sigurt se për deklaratat skajshmërisht raciste, antishqiptare dhe konfliktnxitëse, nuk ka dhënë kush përgjegjësi në shkretishte, ndaj nuk do të japë as ai.

Javën që shkoi vasko e kishte thirrur në (e)mision Branko Manajllovskin e Kiçinicës së Rekës së Epërme, aktualisht deputet i BDI-së në Kuvendin republikan. Dhe, njësoj si ndaj shqiptarëve të tjerë të ftuar në çervish, nuk e la të flasë fare ose ia ndërpreu të gjitha përgjigjet, duke dërdëllitur marrëzira dhe duke shkelur të gjitha kodekset profesionale e morale të gazetarisë.

Ai keqpërdori poshtërsisht kulturën, edukatën dhe bujarinë e deputetit shqiptar, që prej vitesh jeton në SHBA, duke përsëritur papagallshëm mashtrimet e mirënjohura për të vërtetën e krahinës së Rekës së Epërme, ndaj në fund e meritoi si shpërblim rekomandimin mëshirues dhe human të Xha Brankos që të shkojë të shërojë kryet te psikiatri.

Nuk e zgjas më shumë me skandalozin vasko, me të cilin do të qe mirë të merren intelektualët maqedonas. Por, nuk mund ta mbyll shkrimin pa i thënë dy fjalë për budallenjtë tanë, që, me detyra mashash apo me naivitet moronësh, kllum-en shpesh në shtonën e vaskos dhe të ngjashmive me të, duke linçuar si tradhëtarë gjithë personalitetet shqiptare të cilët i shpall të tillë në (e)misionet thellbësisht kubare vasko.

Publiku i gjerë sigurisht i mban mend rastet kur të ftuarit shqiptarë i kanë braktisur demonstrativisht (e)misionet e egejasit vasko, duke e quajtur të pa cipë dhe të pafytyrë, por, siç e thashë dhe më lart, nuk kanë munguar kurrë as moronët që i kanë gëlltitur si të vërteta shpifjet e gazetarucit, që e ka ngarkuar veten me detyrën e përbaltjes së shqiptarëve të shquar dhe të shtrembërimit të fakteve historike.

Pikërisht këtë e konsideroj të dhemshme, ndaj, për adhuruesit shqipfolës të filoserbit, po shtroj pyetjen e ngjashme me atë që ia bëri para disa ditësh Xha Branko: vërtet beson dikush se vaskoja do të ftonte për ta diskredituar në (e)misionin e tij ndonjë spiun dhe tradhëtar të vërtetë shqiptar?

Nëse ka të tillë, le të shërojnë kryet pa humbur kohë te psikiatri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button