Gjyqi për bosin e drogës: 6 vjet burg dhe pak komplimente nga kryetarja e trupit gjykues

I ashtuquajturi “Bosi i Drogës” u dënua sot nga shkalla e parë me 6 vite burg, por ai do t’i mbajë vetëm 2 vite. Naser Kelmendi, biznesmeni kosovaro-boshnjak nga Peja, u shpall fajtor vetëm për një pikë të aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e EULEX’i, atë për shpërndarjen e 25 kilogramëve substancë narkotike të rrezikshme – heroinë. Express ka përcjell seancën ku u shpall aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për Naser Kelmendin, ku nuk munguan as lëvdatat për të.
I lindur në Pejë, Naser Kelmendi, 60-vjeçar, i akuzuar nga Prokuroria e EULEX’it për vrasjen e kryegangsterit nga Bosnja, Ramiz Delaliq dhe tetë akuza të tjera që lidhen me shitblerjen dhe prodhimin e narkotikëve të rrezikshëm, Naser Kelmendi u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Por, ai u shpall fajtor në pikën e akuzës për “posedim me qëllim të shpërndarjes së narkotikëve” ndërsa është shpallur i pafajshëm në tetë pika të tjera, përfshirë edhe ato për krim të organizuar dhe vrasje.

Ai u dënua në bazë të provave të paraqitura nga Prokuroria e EULEX’it e cila provoi se Naser Kelmendi ka porositur dëshmitarin K1 të shkojë me veturë në Austri dhe të bëjë shpërndarjen e substancave narkotike/heroinë, shkruan Gazeta Express.

Avokati Besnik Berisha dhe Naser Kelmendi
Naser Kelmendi u akuzua nga prokuroria edhe për përfshirje në vrasjen e kryegangsterit rival në Bosnje dhe Hercegovinë, Ramiz Delaliq, por të enjten u shpall i pafajshëm lidhur me këtë akuzë.

Kryetarja e trupit gjykues në rastin e Naser Kelmendit, Anna Adamska Gallant, tha se nuk janë gjetur prova që mund të dëshmojnë se Kelmendi ka mundur të jetë i përfshirë në vrasjen e Ramiz Delaliqit.

Delaliq, ish-ushtarak i Bosnjës i kthyer në biznesmen, u vra me breshëri armësh në Sarajevë në vitin 2007.

Kryetarja e trupit gjykues, Adamska Gallant, pas leximit të verdiktit tha se Naser Kelmendi gjatë tërë këtij procesi maratonik gjyqësor ka qenë i disiplinuar dhe ka respektuar gjykatën.

“Vepra për të cilën është dënuar Kelmendi ka ndodhur në verën e vitit 2003 dhe që nga ai moment, ai nuk ka kryer vepër tjetër penale dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos paraqitet në gjykatë. Ai e ka respektuar gjykatën”, tha Gallant.

Sa i përket akuzës për vrasje, Gjykata në krye me gjyqtaren e EULEX’it, konstatoi se nuk ka pasur prova të mjaftueshme ndaj Kelmendit që provojnë se ka kryer krim të organizuar, përfshirë vrasjen e rëndë.

Gjykata ka vendosur që Naser Kelmendit t’i llogaritet koha sa ka qëndruar në paraburgim, nga viti 2013 deri në vitin 2017, si pjesë e dënimit të shpallur sot. Në bazë të kësaj, Kelmendi do t’i mbajë vetëm 2 vjet burg efektiv dhe do të paguajë shumën prej 5 mijë eurove për shpenzimet e gjykatës.

Naser Kelmendi akuzohej për vrasje të rëndë, krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga policia e Kosovës në maj të vitit 2013, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja. Por, pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, megjithëse kundër tij ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë, Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button